Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se janë vënë në dispozicion dy shërbime të rëndësishme për menaxhimin dhe largimin e mbeturinave specifike: mbeturinat nga ndërtimi dhe demolimi, si dhe mbeturinat e vëllimshme.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se këto shërbime synojnë të përmirësojnë pastërtinë dhe menaxhimin e mbeturinave në të gjitha lagjet e kryeqytetit.
Shërbimi për grumbullimin e mbeturinave nga ndërtimi dhe demolimi
Ky shërbim mbulon largimin e materialeve si betoni, tullat, dritaret, dyert dhe gypat. Është e ndaluar grumbullimi i mbeturinave shtëpiake, mbeturinave të rrezikshme dhe materialeve të tjera jashtë kategorisë së mbeturinave nga ndërtimi.
Për secilën zonë të Prishtinës janë përcaktuar ditë të caktuara të grumbullimit dy herë në muaj, ndërsa janë në dispozicion kontejnerë me kapacitete të ndryshme. Për çdo kërkesë jashtë orarit të punës, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin +383 49 738 337
Shërbimi për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme
Ky shërbim përfshin mbeturina si orenditë shtëpiake, pajisjet elektronike dhe të tjera të vëllimshme. Përjashtohen gomat dhe mbeturinat e rrezikshme.
Grumbullimi realizohet dy herë në muaj për secilën zonë të qytetit dhe për çdo informatë shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin +383 45 777 997
Për informata më të detajuara, ju lutemi referohuni dokumenteve të bashkëngjitura me këtë njoftim, ku janë përshkruar detajet për secilin shërbim dhe zonat e përfshira.