Fjalë Kyçe

Distributorët farmaceutikë paralajmërojnë se mund të ketë krizë në furnizimin me barna në Kosovë

Distributorët farmaceutikë paralajmërojnë se mund të ketë krizë në furnizimin me barna në Kosovë

Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës (SHDPFMK) ka dalë me një reagim zyrtar pas një takimi të mbajtur më 3 shkurt 2025, duke shprehur shqetësimet e saj mbi politikat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për çmimet e barnave.

Në atë takim u mor vendimi që anëtarët e SHDPFMK do të vazhdojnë me shitjen e stokut aktual të barnave me çmime ekzistuese deri në përcaktimin e një periudhe kalimtare të zbrazjes së stoqeve aktuale.

Tjetër vendim i marrë është që “produktet e importeve të radhës të cilat do të jenë me çmim të miratuar CIP nga MSH nën çmimin e furnizimit (pa bazë ligjore dhe duke mos ju referuar Nenit 8 të Ligjit nën cmimin e furnizimit) të procedohen në gjykatë”.

“Operatorët ti drejtohen ATK me kërkesë për sqarime lidhur me shitjen e produkteve nën çmimin blerës sipas listës (e cila nuk ka veprim prapakthyes) dhe se operatorët veçse i kanë të deklaruara stoqet tek ATK”, thuhet tutje në shkresë.

“Për më tepër MSH më datë 31.01.2025 ka publikuar Vendimin Nr. 05/01/2025 për përcaktimin e procedures, formatit të aplikimit të deklarimit/ri-deklarimit/aplikimit për ndryshim të çmimit të produktit medicinal duke bashkangjitur formularin e përditësuar i cili nuk bazohet vetëm në Nenin 8 – metodologjinë e përcaktimit të çmimeve mesatare me shumicë nga vendet referente të përcaktuara me Ligj, por kërkon edhe çmimin CIP”.

Shoqata ka vërejtur gjithashtu një mospërputhje në procesin e deklarimit të çmimeve: ligji përcakton që deklarimi duhet të bëhet një herë në vit, ndërsa vendimi i fundit lejon deklarime çdo 10 ditë të secilit muaj, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe mungesë të udhëzimeve për operatorët.

“Ne anën tjetër Ligji e specifikon që deklarimi i çmimeve duhet të bëhet të pakten njëherë në vit, ndërsa në anën tjetër në vendim theksohet se deklarimi mund të bëhet çdo 10 ditë të secilit muaj, pa dhënë asnjë detaj sqarues dhe instrukcione shtesë për operatorët.

Vlenë të theksohet se deri më sot, përkundër numrit të madh të kërkesave për takim me MSH, komisionin për çmime, për të diskutuar me Shoqatën dhe anëtarët e saj lidhur me procesin e zbatimit dhe procedurat për deklarimin e çmimit të barnave, për çka Shoqata dhe anëtarët janë shprehur gjithmonë PRO rregullimit dhe nivelizimit e deklarimit të çmimit të barnave, jemi refuzuar dhe nuk kemi marr përgjigje në pyetjet e parashtruara”, thuhet në reagim.

Në deklaratën e saj, SHDPFMK ka ngritur shqetësimin se, nëse këto politika nuk rishikohen, Kosova mund të përballet me një krizë të furnizimit me barna, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.

Shoqata ka kujtuar se Kosova ende nuk ka një listë rimbursimi për barna dhe as sigurime shëndetësore, çka e bën situatën edhe më delikate.

“Po ashtu ju njoftojme se mbi 1400 produkte medicinale të regjistruara pranë AKPPM janë të pa deklaruara dhe të njejtat qarkullojnë në treg pa çmime të miratuara. Duhet pasur kujdes, ngase Kosova është vend shumë i vogël dhe jasht BE i cili brenda pak muajsh mund të ballafaqohet me mungesë të furnizimeve si në sektorin privat ashtu edhe atë publik si pasojë e veprimeve të pa koordinuara dhe tendencioze në dëm të subjekteve dhe pacientëve.

Gjithashtu siç e dini, ende nuk kemi listë rimbursimi të barnave dhe as sigurime shëndetësore. Mbetemi me shpresë që MSH të reflektojë mbi veprimet e fundit duke na ftuar për të diskuatuar rreth zgjidhjes pozitive të kësaj çështjeje shumë të ndjeshme dhe esenciale, duke dalur kështu nga kjo situate e krijuar”, vazhdon më tej.