Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me komentet e një politikani francez, duke thënë se SHBA duhet ta kthejë Statujën e Lirisë në vendin e saj.
Të dielën, Raphaël Glucksmann sugjeroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të denja për statujën, një skulpturë që ishte dhuratë nga Franca gati 140 vjet më parë që qëndron në Liberty Island, që ndodhet në portin e Nju Jorkut.
“Na ktheni Statujën e Lirisë”, tha Glucksmann, duke folur të dielën me mbështetësit e partisë së tij të vogël, të krahut të majtë “Public Place”, të cilët duartrokitën dhe fishkëllenin.
“Ishte dhurata jonë për ju. Por mesa duket ju e përbuzni atë. Pra, ajo do të jetë e lumtur këtu me ne”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.
Peter Doocy i Fox News e pyeti Leavitt: “Tani është një anëtar i Parlamentit Evropian nga Franca që nuk mendon se SHBA përfaqëson më vlerat e Statujës së Lirisë. Ata duan që Statuja e Lirisë të kthehet. Pra, a do ta dërgojë presidenti Trump përsëri Statujën e Lirisë në Francë”.
“Absolutisht jo. Këshilla ime për atë politikan francez të nivelit të ulët të paidentifikuar do të ishte t’i kujtonte se është vetëm për shkak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që francezët nuk flasin gjermanisht tani. Pra, ata duhet të jenë shumë mirënjohës për vendin tonë të madh”, u përgjigj Leavitt.
Glucksmann akuzoi gjithashtu disa amerikanë se “kishin zgjedhur të kalonin në anën e tiranëve”.