Fjalë Kyçe

Vrasjet e fundit, eksperti i sigurisë kërkon ashpërsim të dënimeve për armëmbajtje pa leje

Vrasjet e fundit, eksperti i sigurisë kërkon ashpërsim të dënimeve për armëmbajtje pa leje

Fatmir Çollaku, profesor i kriminalistikës, ka deklaruar të mërkurën se ashpërsimi i dënimeve ndaj atyre kanë armëmbajtje pa leje do të mund të ndikonte të uljen e krimeve në Kosovë.

Ai ka deklaruar të mërkurën në “SOT” në KTV se armët pa leje po ndikojnë edhe në shtimin e rasteve të vrasjeve në vend, teksa ka shtuar se statistikisht, Kosova s’e ka të lartë shkallën e krimeve.

“Unë në përgjithësi, duke llogaritur se po humbin jetën njerëzit, isha radhitur te njerëzit që tani të përcillet mesazhi respektues në drejtësi që në kuantumin ligjor të dënimit të vuajtjes, të shkohet me dënim më të ashpër se deri më tani, që të përcillen mesazhe se armëmbajtja pa leje ndikon edhe në epilogun e humbjes së jetës”, ka thënë ai.

Çollaku shtoi se Kosova është vend i sigurt dhe s’ka hapësirë për panik.

“Nëse bëjmë një krahasim, Kosova është vend i sigurt dhe s’ka hapësirë për panik e alarmim, pasi matjet e kriminalitetit bëhen nga raportimet vjetore në kuptimin e statistikave. Shikuar nga ky aspekt krahasimor, Kosova është shumë mirë në krahasim me shtetet në regjion. Është vend i sigurt, por çdo jetë e humbur është humbje. Çdo vrasje është perceptim i trishtë. Në këtë kontekst, shpreh shqetësimin dhe artikuloj kërkesën për sistemin e sigurisë që të bëjë më mirë. Rekomandoj të zhvillohen plane operative siç ndodhi vjet të vrasjeve në Prishtinë”, ka thënë Çollaku.

Profesori ka theksuar se bazuar në të dhënat, Kosova ka shënuar ulje të lehtë të krimeve, teksa shtoi se është rritur numri i raportimit të këtyre rasteve në media.

“Nëse bëjmë një krahasim, vitin 2024 në raport me 2023-n ka një ulje të lehtë të numrit të vrasjeve. Edhe 2022 shënon rënie, në dy vitet e fundit ka rënie ose ngritje të lehtë, por aty sillet. Është nivel konstant ose nivel i ulët në krahasim me numrin e banorëve…Vitë më parë, në dekadën e parë të pasluftës ka pasur më shumë vrasje pasi ka pasur më shumë numër të amrëve në duar të qytetarëve”, ka thënë Çollaku.

Sipas tij, mbajtja e armëve pa leje lidhet edhe me periudhën e luftës. Çollaku u shpreh se thuhej se pas luftës ishin rreth 600.000 armë pa leje në duart e qytetarëve.

Ai iu ka bërë thirrje institucioneve që të krijohet një amnisti për armëmbajtësit pa leje, në mënyrë që t’i dorëzojnë ato si masë sigurie.

Duke folur për dhunën mes të rinjve, Çollaku iu ka bërë thirrje shkollave që të jenë më të kujdesshme dhe nëpërmjet policëve civilë dhe kamerave të sigurisë t’i vëzhgojnë të rinjtë.

“Vizitat më të shpeshta të policëve në rroba civile në mjedis shkollor dhe montimi i kamerave e funksionimi i tyre”, ka thënë ai.