Fjalë Kyçe

Murati pretendon se sipas FMN-së “Kosova do të ketë rritjen ekonomike më të shpejtën në Evropë” këtë vit

Murati pretendon se sipas FMN-së “Kosova do të ketë rritjen ekonomike më të shpejtën në Evropë” këtë vit

Hekuran Murati, që po ushtron detyrën e ministrit të Financave thotë se “Kosova do të ketë rritjen ekonomike më të shpejtën në Evropë” këtë vit.

Ai pretendon se kështu thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2025 Kosova do të ketë rritjen ekonomike më të shpejtën në Evropë”, shkroi Murati në një postim në Facebook.

“Gjatë muajit të kaluar, kisha nderin që në Prishtinë të pres zv. Presidentin e Bankës Botërore Akihiko Nishio me rastin e tranzicionit të Kosovës në shtet donator në Bankën Botërore. Gjithashtu, kisha kënaqësinë të pres në takim edhe misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të udhëhequr nga shefi i misionit z. David Amaglobelli, në përmbyllje të programit dy-vjeçar të reformave të dakorduara me FMN-në. Në të dyja rastet, edhe Banka Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e përgëzuan Kosovën për reformat e ndërmarra, për performancën e mirë ekonomike, dhe për maturinë fiskale”, shtoi ai.

Murati tha se “rezultatet e punës së mirë” vërehen “herët a vonë”.

“Rezultatet e punës së mirë 4-vjeçare mund të mos shihen menjëherë, por sigurisht që herët a vonë do të vërehen. A jemi aty ku e kemi potencialin? Natyrisht që jo. Ka shumë punë për t’u bërë. Por përkundër sfidave globale e pengesave vendore, do t’ia dalim. Vazhdojmë!”, shkroi ai.