Më shumë se dhjetë anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së kanë nënshkruar një letër me të cilën i bëhet thirrje administratës së presidentit Donald Trump që të njohë një shtet palestinez dhe të paktën njëri prej tyre planifikon që të paraqesë një rezolutë pro shtetësisë palestineze, merr vesh mediumi amerikan “Axios”.
Shtimi i përpjekjeve për sigurimin e shtetësisë palestineze është nënprodukt i shqetësimit të ligjvënëse në raport me krizën humanitare që po përkeqësohet në Gaza, thekson ky medium.
Edhe disa republikanë dhe demokratë të palëkundur pro-izraelitë në Dhomën e Përfaqësuesve i kanë shtuar kritikat ndaj udhëheqësve të Izraelit në javët e fundit si reagim ndaj shtimit të dëshmive për vdekje nga uria në Gaza.
Kongresistët Chellie Pingree, Nydia Velazquez dhe Jim McGovern janë anëtarët më të rinj të Dhomës së Përfaqësuesve që e kanë nënshkruar letrën, e cila po drejtohet nga kongresisti Ro Khanna, merr vesh “Axios”.
Përpos tyre, letrën e kanë nënshkruar edhe kongresistët Greg Casar, Lloyd Dogget, Veronica Escobar, Maxwell Frost, Al Green, Jared Huffman, Mark Pocan dhe Bonnie Watson Coleman. Edhe kongresisti Andre Carson, njëri nga tre anëtarët myslimanë të Kongresit, e ka nënshkruar letrën, i tha mediumit “Axios” zëdhënësi i tij.
“Ky moment tragjik ia ka vënë në pah botës nevojën shumë të vonuar për ta njohur vetëvendosjen palestineze” – thuhet në letrën për presidentin Trump dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, sipas një kopjeje që e ka siguruar medium amerikan.
Ligjvënësit e përmendën zotimin e dhënë rishtazi nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për njohjen e Shtetit të Palestinës në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator. Vendimi i Francës është kritikuar ashpër nga kryediplomati amerikan Rubio.