Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.
Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00. Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.
Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.
E pikërisht mbi dyshimet për manipulime me këtë çështje, qytetarë të shumtë kanë testuar se si në fakt po llogariten orët e shpenzimeve në njëhsorët elektrikë.
E pas kësaj doli në pah fakti se KEDS-i përmes këtyre njehsorëve po manipulonte konsumatorët prej kohësh.
Por pavarësisht ngritjes së dyshimeve, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) kishte deklaruar se nuk ka pranuar ankesa zyrtare nga konsumatorët për faturat dhe kishte theksuar se nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike. Sipas saj, tarifat ishin aplikuar sipas vendimeve në fuqi dhe çdo shqetësim mund të adresohej përmes procedurave ekzistuese.
Ndërkohë, përfaqësues të KESCO-s kishin sqaruar se faturat e energjisë llogariten në mënyrë digjitale në bazë të konsumit të regjistruar. Ata kanë theksuar se sistemi i faturimit është automatik dhe se nuk ka mundësi për gabime të qëllimshme në llogaritje.
KESCO gjithashtu kishte bërë thirrje që konsumatorët të kenë kujdes me kalimin e blloktarifës, pasi tejkalimi i saj mund të ndikojë në rritjen e faturave mujore.
Dje, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se e ka gjobitur përsëri Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) për herë të dytë me mijëra euro, pasi ka gjetur se dhjetëra njehsorë elektrikë kishin afat të skaduar të vlefshmërisë.
Po ashtu, MINTI, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka sqaruar për lajmi.net rastin e gjobave të shqiptuara ndaj KEDS-it, pas dyshimeve për parregullsi në njehsorët elektrikë.
Sipas sqarimit zyrtar, “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjegjësisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”.
Sipas ministrisë, gjatë kësaj periudhe janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK).
“Në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”, thuhet në përgjigjen e MINT dhënë për lajmin.
Këto sqarime vijnë pas një procesi më të gjerë verifikimesh dhe ankesash të konsumatorëve gjatë muajit prill, ku MINTI kishte bërë të ditur se KEDS është gjobitur për herë të dytë me 90 mijë euro.
Në atë rast ishte theksuar se komisioni ad hoc kishte pranuar 574 ankesa me dëshmi për devijime në orë dhe datë.
Ndërkohë, sipas ministrisë, ankesat e qytetarëve janë duke u trajtuar dhe po kërkohet kompensim për konsumatorët e dëmtuar.
Ky zhvillim vjen pas kontrolleve dhe hetimeve të shtuara në njehsorët elektrikë në disa rajone të vendit, ku janë evidentuar probleme me saktësinë e matjeve dhe vlefshmërinë e pajisjeve.
Gjoba ndaj KEDS-it kanë ardhur disa javë pasi parregullsitë janë raportuar fillimisht nga opozita, përkatësisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku kishin publikuar gjetje nga një hulumtim me rreth 2 mijë mostra, ku u vërejtën mospërputhje mes orës në njehsorë dhe orës lokale.
Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, ndërsa disa qytetarë kanë pretenduar devijime deri në disa orë.
Ora në njehsorët elektrikë është e rëndësishme, pasi ndikon drejtpërdrejt në faturimin e energjisë elektrike. Në Kosovë aplikohet tarifa e lartë gjatë ditës dhe ajo e ulët gjatë natës, e cila në dimër zbatohet nga ora 22:00 deri në 07:00, ndërsa në verë nga 23:00 deri në 08:00.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kWh paguajnë 9.05 centë për kWh, ndërsa mbi këtë prag 15.43 centë. Gjatë tarifës së ulët, çmimi është 3.88 centë për kWh, ndërsa mbi 800 kWh shkon në 7.28 centë.
KEDS-i gjatë një konference për media më 1 prill tha se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.
Sipas kompanisë për shpërndarjen e energjisë, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë – por, në rast të identifikimit të pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.
Ndryshe më 3 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se e ka autorizuar Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Në një njoftim për media, Prokuroria tha se ka dyshime se njehsorët e shpërndarësit të rrymës në vend nuk po e bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e sotme, ZRRE mori vendim për ndryshmin e të hyrave maksimale të operatorëve dhe duke shmangur shtrenjtimin e rrymës