Fjalë Kyçe

“Rezervat shtetërore me grurë vendor, jo me importe të shtrenjta” – AKB kërkon veprim urgjent të Qeverisë

“Rezervat shtetërore me grurë vendor, jo me importe të shtrenjta” – AKB kërkon veprim urgjent të Qeverisë

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar me fermerët e Kosovës gjatë sezonit të korrje-shirjeve, ku prodhuesit vendor po përballen me mungesë tregu, mungesë të hapësirave për deponim dhe çmime jashtëzakonisht të ulëta prej vetëm 16–18 centë për kilogram.
AKB ka thënë se fermeri ka investuar, ka punuar dhe prodhuar ndërsa në fund po përballet me pasiguri se ku do ta dorëzojë prodhimin e tij. Sipas AKB-së, kjo është një goditje për bujqësinë vendore dhe për sigurinë ushqimore të Kosovës.

“AKB rikujton se çështja e blerjes së grurit për rezervat shtetërore nga importi ka qenë objekt i hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Gjykata Themelore ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe disa zyrtarëve të tjerë të MINT-it lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Sipas raportimeve për aktakuzën e këtij rasti, janë ngritur dyshime lidhur me blerjen e grurit për rezervat shtetërore me çmime të larta krahasuar me tregun dhe me pasoja të pretenduara për buxhetin e shtetit. AKB thekson se sot, se nuk duhen të përsëriten praktika ku shteti mbështetet në import, duhet të krijohet një mekanizëm që rezervat shtetërore të furnizohen nga prodhuesit vendorë”, thuhet në reagim.

Ata kanë thënë nëse para 3-4 viteve, gruri për rezerva shtetërore është blerë nga Turqia për 0.47 euro për kilogram, sipas tij duhet që këtë vit shteti ta blejë grurin nga fermerët kosovarë që po e shesin me 16-18 centë për kilogram.

Sipas AKB-së, kjo do të sillte tri përfitime të mëdha ,do t’i mbështeste drejtpërdrejt fermerët vendorë, do ta forconte sigurinë ushqimore të Kosovës dhe do të kursente mjete të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.

“Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Kosova nuk duhet të importojë atë që fermeri ynë e prodhon me mund dhe sakrificë. Rezervat shtetërore duhet të jenë mbështetje për ekonominë vendore, jo vetëm një proces blerjeje. Nëse shteti ka nevojë për grurë për rezervat strategjike, zgjidhja më e drejtë ekonomike është ta blejë atë nga fermerët tanë. Kjo është në interes të buxhetit, prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës. AKB kërkon nga institucionet përgjegjëse që urgjentisht të ndërmarrin masa për grumbullimin e grurit vendor, krijimin e kapaciteteve depozituese dhe garantimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhuesit kosovarë”, thuhet ndër të tjera në reagim.