Së paku 11 vetë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë, nga shpërthimi i bombës në anë të rrugës, në provincën Kandahar të Afganistanit.
Shpërthimi ndodhi në qarkun Khakrez, tha Ahmad Sadeq Essa, zëdhënës i ushtrisë në Kandahar.
Sipas tij, së paku 35 njerëz po ashtu u plagosën dhe u transferuan në një spital pranë.
Yousof Younosi, anëtar i këshillit të provincës, tha se viktimat kanë qenë anëtarë të së njëjtës familje që shkonin drejt një vendi të shenjtë.
Përgjegjësinë për sulmin nuk e mori ende asnjë grup.
Por, Younosi fajësoi militantët talibanë, që shpesh përdorin bombat e vëna në anë të rrugës për të sulmuar forcat afgane të sigurisë dhe të tjerë.
Sipas misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan, shpërthimet e tilla kanë vrarë 53 civilë dhe kanë plagosur 269 të tjerë në tre muajt e parë të këtij viti.