Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Sali Shoshi nga KDI ka paraqitur gjetjet lidhur me trashëgiminë kulturore dhe zbatimi i Ligjit për Trashëgimi.
“Kemi vërejt nga lista e aseteve të paluajtshme, të luajtshme dhe shpirtërore, vetëm 1.4% e tyre janë përfshirë në mbrojtje të përhershme, vetëm 1.4% nga kjo listë”, tha Shoshi.
“Nuk ka licencim të punës konservuese dhe shitje të objekteve, kemi vërejt se asetet e trashëgimisë të luajtshme janë gjetur në tregun zi në Gjermani e disa janë kthyer, gjetje tjetër është qasja në asetet e trashëgimisë ku disa institucione nuk kanë qasje në ato që janë nën menaxhim të Kishës Ortodokse serbe apo komunitetit serb”, shtoi Shoshi.
Ai tha se trashëgimia kulturore nuk po përdoret për përfitime ekonomike.
“Përdorimi i trashëgimisë për përfitime ekonomike, kemi vërejt që asetet nuk kanë plan për përfitim ekonomik apo menaxhimit. Shembull në Parkun Arkeologjik Ulpiana ka më mijëra vizitor në vit, por përfitimet janë 0”, tha ai.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Vjollca Aliu, tha se qasja në asetet e trashëgimisë që i takojnë personave privat është shumë problem sepse ata nuk lejojnë qasje fizike në asete po ashtu refuzojnë edhe investimet për to.
“Qasja në asetet e trashëgimisë kulturore, më shumë kemi probleme me pronarë privat se sa në qasje të aseteve që janë pronë publike, është sfiduese mënyra e shfrytëzimit të tyre më shumë probleme me pronarë privat se sa në pronësi publike, e sidomos viteve të fundit janë evidentuar shumë raste që pos që nuk kanë ofruar qasje ata kanë refuzuar edhe investimin që buxheti nuk është shpenzuar”, tha Aliu.
“Qasja e aseteve në prona publike nuk është se kemi problem, asetet që janë pronë e Kishës Ortodokse sa herë që paraqitet ndonjë vështirësi i adresojmë, vitet e fundit nuk kemi pas probleme”, tha ajo.
Isuf Koci nga Këshilli i Trashëgimisë Kulturore tha se ka problem me vlerësimin e projekteve, ku sipas tij, MKRS-ja po vepron kundërligjshëm, pasi që sipas ligjit projektet duhet të dorëzohen në Këshillin e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa ministria vetëm e zbaton dhe implementon.
“Projektet duhet dorëzohen në këshill sepse kështu e kërkon ligji, ministria është përgjegjëse për aprovimin dhe implementimin e këtyre projekteve, tani po ndodh shkelje flagrante e ligjit sepse MKRS-ja vet harton projekte, vet i vlerëson projektet e vet i mbikëqyrë ato”, tha Koci.