Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka thjeshtësuar akoma më shumë procedurat e ofertimit duke krijuar lehtësira për blerësit që konkurrojnë për të privatizuar prona të ndërmarrjeve shoqërore.
Rregullat e Tenderit, me të cilat përcaktohen procedurat e ofertimit kanë ndryshuar përsa i përket dokumenteve të nevojshme për aplikim. Poashtu, me Rregullat e reja përgatitja e ofertës nga blerësit me dokumentet përcjellëse do të jetë shumë më e lehtë të bëhet, pasi që do të duhen më pak dokumente.
Për të qenë oferta valide, blerësit tani me Rregullat e Reja të Tenderit duhet të posedojnë vetëm kopjen e dokumentit identifikues, dëshminë e pagesës së depozitimit që është përcaktuar ndaras për secilin aset dhe dëshminë e pagesës së tarifës, të cilat bëhen në llogarinë e AKP-së. Ndërsa dokumenti tjetër që duhet të plotësohet është ai i çmimit me të cilin oferton blerësi.
Agjencia, me vendim të Bordit të Drejtorëve ka bërë edhe një varg ndryshimesh të tjera që lehtësojnë gjithë procesin e privatizimit, prej shpalljes së tenderit e deri të shpallja e fituesit dhe nënshkrimi i kontratave me blerësit.
Rregullat e reja të Tenderit aplikohen nga kjo valë e shitjeve të aseteve, ndërsa janë të publikuara edhe në ueb faqen e Agjencisë: http://www.pak-ks.org/desk/inc/media/9D5B7813-0178-4F3F-95F4-C9CE1ACF284A.pdf. Ndërsa formulari që duhet të plotësohet për ofertim mund ta shkarkoni në: http://www.pak-ks.org/inc/shkarko1.pdf.
Ofertuesit mund të vizitojnë edhe zyret e AKP-së dhe të njoftohen drejtpërdrejt nga zyrtarët përgjegjës me procedurat e reja të ofertimit.
AKP ka shpallur Shitjen e Aseteve me Likuidim nr. 49, me gjithsej 137 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.
Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 21 gusht 2019, nga ora 10:00 deri në orën 12:00.