Një linjë hekurudhore drejt Francës e solli qeverinë e Italisë në prag të kolapsit.
Por tani, raportet e pushtetit në koalicion janë sqaruar – dhe më i madhi lëshon pe.
Në Romë, kryeministri Giuseppe Conte u shpreh në mbështetje të një lidhjeje të diskutueshme hekurudhore midis Francës dhe Italisë.
Do të ishte më e shtrenjtë të mos ndërtohej linja me shpejtësi të lartë në mes të Torinos dhe Lionit (TAV), tha politikani pa parti Conte në një video në Facebook. Prandaj, ajo duhet të përfundojë: “Janë shumë para në lojë.” Me këtë bëhet e qartë se Ministri i Brendshëm Matteo Salvini ia ka imponuar vullnetin partnerit të tij më të madh të koalicionit.
Treno Alta Velocita (treni me shpejtësi të lartë) është si difekt programimi në koalicionin e Romës. Që nga fillimi, dy partitë në pushtet Lega dhe Lëvizja me Pesë Yje, grinden nëse do të ndërtohet pas kaq vitesh linja e shpejtësisë së lartë.
Në një kohë që Lega është shprehur mjaft qartë në favor të projektit prej miliardash, sepse ai premton rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, Yjet janë absolutisht kundër tij. Ato e refuzojnë projektin si një simbol të hedhjes dëm të taksave. Vetë Conte kishte shprehur në mars dyshime në lidhje me projektin për hekurudhën. Në atë kohë, aleanca qeveritare për pak u shkatërrua për shkak të mosmarrëveshjes.
Sepse me zgjedhjet evropiane, marrëdhëniet e pushtetit në koalicionin e Romës janë kthyer pothuajse në të kundërtën: Lega ksenofobike e Salvinit fitoi dy herë më shumë vota se populistët e Pesë Yjeve të Ministrit të Ekonomisë dhe të Punës Luigi Di Maio. Në zgjedhjet e përgjithshme në mars 2018 rezultati ishte krejt i kundërt. Salvini shpalli menjëherë pretendimin se dëshiron të vendosë më shumë se deri tani në politiken qeveritare ne Itali.
Linja hekurudhore prej 270 kilometrash ka vite që ndodhet në fazën e planifikimit dhe financohet nga BE. Në një pjesë të linjës kanë filluar tashmë ndërtimet. Veçanërisht e diskutueshme dhe e luftuar nga iniciativat e qytetarëve, është zemra e lidhjes së re, tuneli prej gati 58 kilometra i Mont Cenis-it përmes Alpeve.
Klima është aq e acaruar sa që Salvini pas një sulmi me zjarrvënie në linjën e rëndësishme të shpejtësisë së lartë midis Firences dhe Romës dyshoi menjëherë për kundërshtarët e TAV. Të hënën, në mes të sezonit të pushimeve, në trafikun hekurudhor pati orë kaosi, kur mori flakë një kuti shpërndarjeje sinjalesh. Mijëra udhëtarë u bllokuan në stacionet e trenit anembanë vendit pa ditur se çfarë do të ndodhte.
Linja e re synon të përshpejtojë udhëtimet brendaevropiane me tren midis Milanos, Venecias, Barcelonës, Lisbonës dhe Parisit, si dhe ta kalojë në shina trafikun e mallrave. Investimi i përgjithshëm prej të paktën 26 miliardë eurosh mbulohet me rreth 40 për qind nga BE. Komisioni Evropian ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e projektit për Evropën. Në raste zvarritjesh të mëtejshme u tha se fondet e BE mund të tërhiqen.