NASA planifikon që ta dërgojë në Mars një robot me gjashtë rrota, i cili do të lëshohet në planetin tjetër në vitin 2021 dhe do ta ketë për qëllim zbulimin e provave për ekzistimin e jetës në periudhat e kaluara historike. Roboti do t’i hulumtojë gurët, të cilët janë të vjetër përafërsisht 3.9 miliardë vjet.
Hulumtuesit thonë se zbulimi i shenjave të jetës në atë periudhë në Mars është më e lehtë se zbulimi i shenjave të jetës në Tokë për të njëjtën periudhë, sepse në Mars ato shenja mund të jenë ruajtur më mirë. Kjo për shkak se në tokë gurët në periudha të gjata e ndryshojnë përbërjen dhe riciklohen natyrshëm. Këto procese mund t’i fshijnë shenjat e jetës, ndërsa besohet se në Mars këto procese nuk zhvillohen.
“Ne nuk besojmë se në Mars ka pasur pllaka tektonike njësoj si në Tokë. Shumica e gurëve në Tokë shkatërrohen. Ndoshta mund të tingëllojë si diçka paradoksale, por gurët më të vjetër në Mars mund të jenë më të ruajtur sesa gurët më të rinj në planetin tonë”, tha Ken Williford, i cili është pjesë e stafit në Laboratorin e NASA-s në Kaliforni.
Roboti do të lëshohet afër kraterit “Jezero”. Vrojtimet me satelitë kanë ofruar pamje që tregojnë se në të dikur ka ekzistuar një liqen i thellë. Shkencëtarët shpresojnë që jetesa e mundshme e mikrobeve afër këtij vendi do të jetë ruajtur në sedimentet që mund të analizohen lehtë me pajisjet moderne. Pjesa kryesore e këtij hulumtimi do të jenë depozitat e karbonateve, shkruan “BBC”