Policia e Kazakistanit i ka arrestuar disa aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë në një protestë që po mbahet sot në qytetin më të madh të vendit, Almaty. Aktivistët njoftuan përmes Facebookut se policia e ka arrestuar kreun e fondacionit për të drejtat e njeriut, një avokat, kreun e një gazete që është përkrahëse e opozitës dhe disa aktivistë të shoqërisë civile.
Policia e bëri arrestimin e disa aktivistëve brenda një kohe të shkurtër përderisa ata ishin mbledhur që ta festojnë 27-vjetorin e pavarësimit të vendit nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe për t’i përkujtuar viktimat e shtypjes policore të viteve 1986 dhe 2011
. Ata ishin mbledhur afër Monumentit të Pavarësisë në pjesën qendrore të qytetit për t’i përkujtuar të vdekurit e dhunës policore gjatë protestave të punëtorëve në industrinë e karburanteve në vitin 2011.
Pasi u liruan nga policia, aktivistët deklaruan se janë marrë në pyetje nga policia për lidhjet e mundshme me lëvizjen opozitare “Zgjedhja Demokratike”, e cila udhëhiqet nga një kritik i presidentit Nursultan Nazarbaev.
Një gjykatë kazake ia kishte ndaluar veprimtarinë kësaj lëvizjeje në muajin mars, duke e cilësuar atë si organizatë ekstremiste, shkruan “Free Europe”.