Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka mbajtur takim me organet përgjegjëse për sektorin e energjisë në vendin tonë, gjegjësisht Korporatën Energjetike të Kosovës, KEDS, Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe KOSTT, ku ka kërkuar raportim rreth situatës energjetike në vend.
Në këtë takim u diskutuan masat të cilat duhet të merren për tu parandaluar ndërprerjet e paplanifikuara si dhe u kërkua mobilizim që të kalohet sezona dimërore pa probleme të mëdha.
Lluka u interesua të kuptoj nga KEDS dhe KOSTT zgjidhjen e disa shqetësimeve të cilat ai i ka marrë nga banorët e Fushë Kosovës, Suharekës dhe Prishtinës për ndërprerje të energjisë elektrike.
Konstatimi i përgjithshëm ishte që situata energjetike është stabile në gjithë vendin dhe se ndërprerjet e vetme që mund të ndodhin janë për shkak të mbingarkesave në zona të caktuara në Kosovë, thuhet në njoftimin për media.