Pavarësisht se këtë viti numri i aktiviteteve kulturore ishte dukshëm më i madhe se vitet e kaluar, për shkaka të shënimit të 550 vjetorit të vdekjes se Skënderbeut, për njohësit e zhvillimeve kulturore, edhe aktivitetet organizuar në kuadër të këtij shënimin ishin të zbehta dhe nuk morën vëmendjen e duhur nga institucionet
Institucione shtetërore, por edhe ato kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë edhe gjatë 2018 nuk kanë përmbushur pritjet dhe premtimet në kuadër të kalendarit kulturorë vjetor në mes dy vendeve.
Vlerësime aspak pozitive janë dhënë nga studiues dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend, lidhur me agjendën e kalendarit kulturorë në mes dy vendeve dhe kujdesi që ato po tregojnë për mbështetje dhe pasurim të jetës kulturore në të dyja vendet.
Pavarësisht se këtë vit numri i aktiviteteve kulturore ishte dukshëm më i madh se vitet e kaluara, për shkak të shënimit të 550 vjetorit të vdekjes se Skënderbeut, për njohësit e zhvillimeve kulturore, edhe aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij shënimi ishin të zbehta dhe nuk morën vëmendjen e duhur.
Sipas tyre bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri çdoherë e ka pasur dhe e ka rëndësinë e vet, edhe përkundër faktit se ky bashkëpunim asnjëherë nuk ka qenë i kënaqshëm, dhe se ky vlerësim vlen edhe për bashkëpunimin e sivjetëm lidhur me 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Aktivitete jo serioze
Bashkim Lajçi, etnolog, në një prononcim për Kallxo.com , ka thënë se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri çdoherë e ka pasur dhe e ka rëndësinë e vet, edhe përkundër faktit se ky bashkëpunim asnjëherë nuk ka qenë i kënaqshëm.
“Kjo vlen edhe për bashkëpunimin e sivjetëm lidhur me 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Ndonëse ka pasur disa organizime në relacionin Prishtinë-Tiranë, mendoj se do të duhej të kishte një dinamikë më të ngjeshur në këtë bashkëpunim dhe në këtë komunikim”, ka thënë ai.
Ndërsa Ylber Vokshi, arkitekt dhe ekspert në fushën e trashëgimisë monumentale, ka potencuar për Kallxo.com, se ky bashkëpunim, dikur i pa imagjinueshëm, gjatë këtyre viteve të fundit ishte në një krizë identiteti, e cila ka kaluar në një monotoni falë formës, përmbajtjes dhe realizimit të kalendarit vjetor të bashkëpunimet kulturore, i cili vitin e kaluar është reduktuar në përgjithësimin e aktiviteteve kulturore në mes dy Ministrive homologe.
Kjo qasje, shton ai, jo produktive u vërejt në zhvillimin e përgjithësuar të aktiviteteve kulturore të cilat në vitin 2018 paksa në disa fusha filluan të dinamizohen, por larg asaj të dëshiruarës.
“Pavarësisht, faktit se për këtë ka potenciale dhe kapacitete kulturore në të dyja shtetet, posaçërisht sivjet kur në Shqipëri është shpallur ‘Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut’, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe priteshin aktivitete të shumta kulturore në të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë që nuk është duke ndodhur”, ka pohuar ai.
Vokshi ka thënë se duhet përshëndetur mbajtjen e një koncerti të Ansamblit Kombëtar të Valleve nga Tirana vetëm në qytetin e Gjakovës.
Sipas tij, duhen më shumë bashkëpunime në fushat e arkeologjisë, arkitekturës, etnologjisë, muzeologjisë etj.
“Këto vite u vërtetua një e vërtetë e hidhur se për këto elitat politike aktuale aspak nuk është i rëndësishëm ky bashkëpunim i ndaluar dhunshëm me dekada në kohen e komunizmit, përndryshe nuk ka arsyetime tjera të logjikshme”, ka thënë Vokshi.
Asgjë për tu vlerësuar
Ndërsa shkrimtari Bujar Meholli ka pohuar se për Vitin e Skënderbeut nuk është bërë aq sa duhet nga ana e institucioneve gjegjëse.
“Të gjithë ne, kemi pritur diç më shumë duke pasur për bazë fjalët e mëdha të zyrtarëve institucional, të cilat siç duket mbetën veçse të tilla. Pra, nuk u shndërruan në vepra. E dimë se për këtë vit historik të shqiptarëve, u hartuan kalendare të aktiviteteve për Vitin e Gjergjit, heroit të shqiptarëve, të cilin për fat të keq disa e përbuzin, disa madje edhe ia kontestojnë nacionalitetin”, ka pohuar ai për Kallxo.com.
Meholli ka thënë se nuk është bërë gjë konkrete deri më tash për këtë figurë madhore të kombit tonë. “Jo, ndonjë aktivitet madhështor të organizuar nga dy Ministritë e Kulturës, ndonjë aktivitet ashtu siç i ka hije heroit tonë nacional. Edhe ato që janë bërë, kanë qenë krejt minore si fjala vjen, ndonjë mbrëmje letrare me poezi kushtuar Skënderbeut, ndonjë vizitë e organizuar për në Krujë”, ka thënë ai.
“Bashkëpunimet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ishin më shumë sipërfaqësore — dua ta përmend vetëm konferencën shkencore për nderë të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe themelimit të revistës “Diturija” nga Mithat Frashëri që mendoj se është puna më produktive e dy Ministrive”, ka pohuar Meholli, duke shtuar se përveç këtij organizimi të përbashkët, aktivitetet dhe programet e tjera mbetën veçse në letër, pa u jetësuar.