Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ende nuk i ka tejkaluar problemet shëndetësore. Edhe në përvjetorin e 29 të LDK’së, ai ka shkuar të ulet në vendin e tij i ndihmuar nga djali i tij, Besniku.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbushur 29 vjet prej se është themeluar. Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po vazhdon të udhëhiqet prej Isa Mustafës, i cili po vazhdon të ketë probleme shëndetësore.
Për shkak të një sëmundje që kishte pasur këtë vit, Lideri i LDK’së ende nuk e ka tejkaluar krejtësisht. Po vazhdon të mos ec pa ndihmës.
Kësaj radhe, Mustafën e ka ndihmuar djali i tij, Besniku.
Express ka shkruar se Kryetari aktual, Isa Mustafa, ka dhënë shenjat e para se me gjithë problemet shëndetësore dhe moshën do të synojë prapë udhëheqjen e LDK’së.
Në një intervistë televizive, ish-Kryeministri ka thënë se do të deklarohet përfundimisht për ambicien për Shef të LDK’së një muaj para se të përundojnë zgjedhjet.
“Këtë çështje do ta diskutojë. Këtë do ta deklaroj një muaj, një muaj e gjysmë para zgjedhjeve për Kryetar”, ka thënë Mustafa për Rubikon të KTV’së.
Ai ka thënë se do të respektohet vullneti i strukturave të partisë që kanë kërkuar edhe në kohën sa ishte me probleme shëndetësore të q ëndronte në udhëheqje të partisë.
“S’do të isha tash në pozitën e Kryetarit vetëm po t’i nënshtrohesha vullnetit personal”, ka shtuar ai.
Deri më tash, janë përmendur tre emra që kanë mundur të jenë Shef të LDK’së.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë për Kryetar të partisë. Në zgjedhjet e fundit partiake kishte thënë se nuk po i hyn garës me arysen se nuk dëshironte të sfidonte Kryeministrin e asaj kohe që ishte edhe shef partiak.
Kujtim Shala nuk e ka mohuar asnjëherë mundësinë që t’i hyjë garës por edhe ky sikur Isa Mustafa ka thënë se në një garë do të tillë do të hynte nëse ia kërkojnë kolegët dhe anëtarësia.
Agim Veliu gjithmonë përmendet për Shef të Partisë e përfundon Nënkryetar.
Isa Mustafa, kishte marrë LDK’në në fundin e vitit 2010, kur kishte mundur Fatmir Sejdiun.
Prej atëherë, Mustafa ka shënuar tri humbje të zgjedhjeve nacionale, ka humbur Komunën e Prishtinës, por ka rikthyer disa komuna që me herët e kishte humbur LDK’ja përfshirë Pejën, Gjilanin e Lipjanin.
Isa Mustafa ishte rizgjedhur Kryetar i LDK’së në mandatin e kaluar me aklamacion pasi nuk e kishin lejuar të kishte kundërkandidat. Vjosa Osmani kishte dështuar të mblidhte nënshkrimet për ta sfiduar Mustafën.
Vitin e kaluar, Shefi i LDK’së kishte pasur probleme shëndetësore derisa ishte trajtuar Gjermani. Gjatë gjithë kohës, LDK ishte udhëhequr prej Nënkryetarëve të Partisë.
Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave.