Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thirrur mbledhje të rregullt të Qeverisë për ditën e nesërme.
Nesër me fillim prej orës 14:00 do të mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë me ftesë të kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj.
Mirëpo, thirrja e për mbajtjen e mbledhjes së Qeverisë në të cilën do të merren vendime, është antikushtetuese pasi që, me dorëheqjen e parevokueshme të Haradinajt ka rënë Qeveria.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë për lajmi.net, se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, mund të thërras mbledhje të Qeverisë vetëm për punë administrative dhe teknike, por jo edhe të marrë vendime.
“Ai mund të mbajë mbledhje të Qeverisë për punë teknike administrative, por vendime, pra të marrë vendimmarrje është diskutabile nëse gjykohet në bazë të dispozitave të nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Qeveria me dorëheqjen e kryeministrit bie Qeveria dhe nëse një Qeveri e rënë merr vendime valide brenda mandatit sikur është brenda mandatit, është diçka që në pikëpamje kushtetuese-juridike është diskutabile. Duhet të analizojnë mirë ata dhe më pas duhet t’i sqarojnë ato veprime të tyre. Është punë e tyre se çfarë bënë kabineti qeveritar dhe kryeministri tashmë i dorëhequr në mënyrë të parevokueshme, por në aspektin kushtetues-juridik çdo aktivitet i njëjtë me atë të para dorëheqjes është diskutabil në aspektin kushtetues-juridik”, ka sqaruar Baraliu për lajmi.net.
Tutje Baraliu ka thënë se secili institucion duhet të veprojë brenda kornizave kushtetuese dhe juridike pasi që vendit tonë i mungon Ligji i Qeverisë dhe në mungesë të këtij ligji, duhet të respektohen dispozitat kushtetues e ligjore.
Ai për lajmi.net, e theksoi edhe një herë se Qeveria e Kosovës me dorëheqjen e parevokueshme të Haradinajt, tashmë është jashtë funksionit kushtetues dhe mandatues dhe në këtë mënyrë nuk mund të marrë vendime.
“Secili institucion duhet të veprojë brenda kornizave dhe autorizimeve që ka brenda mandatit kushtetues-juridik dhe në bazë të Ligjit të Qeverisë. Është dashur ta kemi një Ligj të Qeverisë ku do të duhej të caktoheshin këto gjëra. Asnjë Qeveri përpara kësaj Qeverie që tashmë është e rënë dhe as kjo Qeveri nuk e ka përfunduar Ligjin për Qeverinë, e ka nisur por nuk e kanë përfunduar nuk e ka dorëzuar në Kuvend, nuk e ka miratuar Kuvendi Ligjin për Qeveri dhe prandaj duhet norma kushtetuese që përmenda më sipër të respektohet dhe kjo Qeveri ta dijë që është Qeveri e rënë, pra qeveri që ka rënë dhe nuk është në funksion kushtetues, mandatues pra brenda mandatit por është e rënë dhe në dorëheqje. Praktikisht ajo ka të drejtë të kryej punë tekniko-administrative, por jo të marrë vendime”, theksoi Baraliu.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 95, Pika 5, thotë: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Theksojmë se në bazë të dokumentit që është bërë publik në medie, një dër pikat e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për emërimin e anëtarëve në Bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (MIT).
Të gjitha pikat e rendit të ditës për mbledhjen e nesërme janë vendimmarrëse dhe në këtë mënyrë, Haradinaj është duke bërë shkelje ligjore e kushtetuese.
Pas thirrjes së Haradinaj për mbajtjen e mbledhjes së nesërme kanë reaguar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duke e quajtur si vendim skandaloz dhe antikushtetues.
Ndryshe, të premten e kaluar Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
Ndërkaq, dje ai në Hagë është intervistuar nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara mirëpo, Haradinaj ka pranuar që të mbrohet në heshtje.