Fjalë Kyçe

A do ta lejojë opozita miratimin e Projektligjit për Dialogun?

A do ta lejojë opozita miratimin e Projektligjit për Dialogun?

Partitë opozitare thonë se do t’i përdorin të gjitha mënyrat në dispozicion për ta kundërshtuar miratimin e Projektligjit për Dialogun në Kuvend. Po ashtu ata paralajmërojnë se nëse ky votohet nga deputetët, atëherë do ta dërgojnë edhe në Kushtetuese, shkruan gazeta “Zëri”.

Projektligji për Dialogun ende nuk dihet se kur do të dalë në Kuvend, ndonëse këtë javë pritet të mbahen tri-katër seanca. Madje ky projektligj, që ka më shumë se një muaj i cili është votuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ende nuk është shqyrtuar nëpër komisione parlamentare në lexim të dytë.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti ka thënë se projektligji nuk është pjesë e rendit të ditës në seancat që janë paraparë për këtë javë, por nëse arrin të shqyrtohet nëpër komisione, atëherë me kërkesë të partive parlamentare mund edhe të futet në ndonjë seancë kah fundi i javës.

Megjithatë, edhe pas ndryshimeve që projektligji mund të pësojë në shqyrtim të dytë, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk do ta votojnë.

Ndërsa analistët shprehen se ky projektligj nuk duhet të kalojë me shumicën e thjeshtë të votave, por me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.