Fjalë Kyçe

A do të arrihet kompromisi për taksën?

A do të arrihet kompromisi për taksën?

Kryeministri Ramush Haradinaj ka hapur “luftë” në shumë fronte, për shkak të rezistimit në heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake. Heqjen ose pezullimin e taksës po e kërkojnë partneri i madh i koalicionit (PDK), presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian. Vendi mund të shkojë shpejt në zgjedhje të parakohshme nëse nuk arrihet kompromis për taksën.

Taksa e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina po vazhdon t’i mbajë të përçarë krerët e institucioneve kryesore të Kosovës dhe liderët e koalicionit qeverisës. Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj edhe një herë ka deklaruar se taksa do të mbesë në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

Ndërkaq partneri tjetër i koalicionit Kadri Veseli, i cili ka kërkuar që taksa të pezullohet, është shprehur optimist se do të gjendet një gjuhë e përbashkët për të marrë një vendim lidhur me tarifën e vënë prej 100 për qind, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se taksa tashmë është shndërruar në një betejë mes liderëve institucionalë e partnerëve të koalicionit se kush është proamerikan e kush antiamerikan, duke reduktuar kësisoj zgjidhjen e problemit në akuza e kundërakuza.