Fjalë Kyçe

A do të mbesin fëmijët kosovarë pa shtesa edhe këtë vit?

A do të mbesin fëmijët kosovarë pa shtesa edhe këtë vit?

Fëmijët kosovarë duket se do të mbesin pa shtesa edhe këtë vit, edhe pse ishte paralajmëruar që ndarja e tyre do të fillojë nga janari i këtij viti.

Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe rrjedhimisht kjo çështje nuk do të mund të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019. E sociologu Leotrim Sahiti tha se skema e propozuar nuk stimulon rritje të natalitetit.

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, për ndarjen e një shume të caktuar për të gjithë fëmijët nga lindja deri në moshën 16 vjeçare në Kosovë, tashmë ka kaluar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ende nuk ka hartuar legjislacionin përkatës.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, tha për televizionin publik se ekzekutivi i vendit e ka mirëpritur këtë rezolutë, mirëpo ende nuk i ka gjetur vend zbatimit të saj në projektbuxhetin e vitit 2019.

“Në këtë fazë është ende herët për të dhënë datë apo informacione të sakta, duhet parë në parametrat ekonomikë se si do të mund të implementohet, kjo dhe është fushë që i takon edhe Ministrisë së Financave dhe ministrive të tjera apo linjave të tjera buxhetore për të parë se si dhe kur do të implementohej kjo rezolutë”, tha Gashi.

Edhe njohësit e çështjeve sociale në Kosovë e përshëndesin iniciativën e deputetëve, megjithëse thonë se shuma e propozuar për t’u ndarë për secilin fëmijë, është shumë e vogël, gjë që tregon edhe përkushtimin e vogël të shtetit ndaj kësaj kategorie.

Sociologu Leotrim Sahiti tha se shuma e shtesës për fëmijë duhet të jetë më e lartë dhe caktimi i shumës është dashur të jetë konform nevojave që kanë fëmijët. Ndërsa, zbritjen e shumës së përfituar për fëmijën e dytë e më shumë, Sahiti e ka quajtur të gabuar.

“Sa i përket zvogëlimit të vlerës së shumës për fëmijën e dytë e kështu me radhë, në fakt është dashur të jetë e kundërta, pra të kemi rritje të vlerës së shumës për secilën lindje dhe jo reduktim të shumës, sepse në këtë mënyrë ne do ta promovojmë rritjen e natalitetit në vend, duke e marrë parasysh se, sipas statistikave, Kosova është duke shënuar rënie sa i përket natalitetit”, tha Sahiti.

Si politika të tjera që do të ndikonin në rritjen e numrit të lindjeve në Kosovë, Sahiti ka përmendur pajisjen e qendrave të mjekësisë familjare me aparate dhe medikamente që mundësojnë ruajtjen e shëndetit të fëmijëve, hapjen e më shumë institucioneve parashkollore për fëmijë si dhe krijimin e programeve të veçanta për kujdes ndaj fëmijëve.

Iniciativa e deputetes Donika Kadaj-Bujupi e kthyer në Rezolutë nga Kuvendi i Kosovës parasheh që çdo familje të përfitojë 10 euro në muaj për fëmijën e parë, 5 euro për të dytin dhe 2,5 euro për të tretin, ndërsa, sipas deputetes Bujupi, nga kjo skemë do të përfitonin rreth 500 mijë fëmijë.