Çështja e ndërrimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë një prej temave më të diskutuara në muajt e fundit të viteve që lamë pas, por ka realisht një plan të tillë?
Për këtë e për çështje të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën, në studion e “Top Talk” ka qenë e ftuar Edita Tahiri, ish-ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe ish-kryenegociatore e dialogut me Serbinë.
Sipas saj kjo ide ka dalë nga agjenda serbo-ruse, e në mënyrë kategorike, duke renditur e një sërë argumentesh, ajo thekson se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
“Një ide e tillë ka dalë nga axhenda serbo-ruse. Nuk ka plane dhe as mund të ketë. Thaçi e ka promovuar, por pjesa tjetër është e kundër. Nuk mund të ketë ndryshime të kufijve. E para sepse Kosova për t’u bërë shtet ka luftuar për 100 vite. Duke përfshirë edhe luftën e fundit 10-vjeçare të LDK. Ne si LDK kemi qenë partia që projektoi Pavarësinë. Ka qenë një opsion kompromisi, sepse ne na takonte që të bashkoheshim me Shqipërinë. Nga ana tjetër edhe UÇK ka bërë të njëjtën luftë. E dyta Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi e ka vërtetuar se Pavarësia e Kosovës është e ligjshme. E treta, ne kombi shqiptar, historikisht kemi tkurrur tokat. Hera e parë që ne bëmë dy shtete. Kur kemi bërë këtë arritje gjeo-politike, ne na duhet që t’i zgjerojmë më tutje, sepse jemi të ndarë në 5-6 shtete. Jo më të japim pjesën më të pasur të Kosovës”, u shpreh Edita Tahiri.