Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka thënë se taksa nuk do ta çojë vendin në zgjedhje.
Në “Express Intervistën” në KTV, Beqa ka thënë se taksa ka mbërri efektin e saj dhe se sipas tij ajo duhet të pezullohet për 120 ditë ashtu siç është kërkuar nga SHBA-ja.
“Taksa nuk do ta çojë asnjëherë vendin në zgjedhje. Unë mendoj që veprimi më i mirë i qeverisë së Kosovës ka qenë taksa, por mendoj që taksa ka arritur efektin e vet, mirëpo me kërkesë të miqve amerikanë taksa duhet të pezullohet për 120 dite. Unë mendoj që spektri politik duhet të reflektojë. Kosova duhet ta pezullojë taksën me kusht, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me Serbinë. Më të fortë jemi me Amerikën se sa me taksën”, tha Beqa.
Beqa, që njëherësh është edhe nënkryetar i Komisionit për Legjislacion ka folur edhe për mosmiratimin e rregullores së Kuvendit, ku ka thënë se draft-rregullorja e propozuar, është ndër rregulloret më të mira që ka pasur Kuvendi ndonjëherë.
”Kemi dhënë kontribut të gjithë deputetet, në shtatorin e vitit 2017 kemi bërë një grup punues dhe të gjithë kemi dhënë kontributin por opozita ka vendosur ta bojkotojë dhe kemi bërë gabim që nuk e kemi votuar draf-rregulloren”, ka thënë Beqa.