Fjalë Kyçe

A është e gatshme PDK-ja që t’a rrëzojë Haradinajn?

A është e gatshme PDK-ja që t’a rrëzojë Haradinajn?

Partia Demokratike e Kosovës, e nxitur nga presidenti Hashim Thaçi, sipas analistëve politikë, është e interesuar ta gjejë një partner të ri për bashkëqeverisje pa shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme, por partitë e opozitës në kohën kur Qeveria e ka kaluar gati gjysmën e mandatit nuk janë të interesuara të bashkëqeverisin me partnerin e madh të koalicionit qeverisës, shkruan gazeta “Zëri”.

Eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës, partnerit të madh në koalicionin qeverisës, kanë nisur të flasin për mundësinë e prishjes së koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partinë e kryeministrit Ramush Haradinajt, duke u arsyetuar në acarimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të taksës, por si duket e kanë të vështirë të gjejnë partner të ri për bashkëqeverisje.

Ka qenë zëvendësministri i Inovacionit, Bujar Cakolli, dikaster ky qeveritar që e drejton PDK-ja, i cili ditë më parë ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se nëse miqësia dhe përkrahja e SHBA-së vihen në pikëpyetje më s’ka kuptim as koalicioni, as Qeveria, as pushteti e as taksa.

“PDK-ja duhet të rishqyrtojë shumë seriozisht pozicionin e saj në raport me zhvillimet e fundit politike”, ka shkruar mes tjerash zëvendësministri Cakolli.

Edhe deputeti i kësaj partie Hajdar Beqa, ka thënë  se nuk i kanë në agjendë zgjedhjet e parakohshme, por nëse në të ardhmen nuk ka harmonizim të qëndrimeve mes partnerëve në koalicionin qeverisës nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve.