Autoriteti Evropian për Siguri të Ushqimit (EFSA) po monitoron nga afër situatën në lidhje me shpërthimin e sëmundjes koronavirus (COVID-19), që po prek një numër të madh vendesh në të gjithë globin.
Aktualisht nuk ka asnjë provë që ushqimi është një burim ose rrugë e mundshme e transmetimit të virusit.
Kryesuesja shkencore e EFSA-së, znj. Marta Hugas, ka thënë se përvojat nga shpërthimet e koronaviruseve të mëparshëm, të tilla si koronavirusi i sindromës së rëndë respiratore akute (SARS-CoV) dhe koronavirus i sindromës së frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS-CoV), tregojnë se transmetimi përmes konsumit të ushqimit nuk ndodh.
”Për momentin, nuk ka prova që të sugjerojnë që koronavirusi është i ndryshëm në këtë drejtim”, shprehet ajo.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka thënë se derisa kafshët në Kinë ishin burim i mundshëm i infeksionit fillestar, virusi po përhapet nga një person në person – kryesisht përmes spërklave kur personi tështitet apo kollitet.
Më shumë informacion mbi koronavirusin dhe ushqimin mund të gjenden në këtë FAQ nga BfR, organi i vlerësimit të rrezikut të Gjermanisë.
Shkencëtarët dhe autoritetet në të gjithë botën janë duke monitoruar përhapjen e virusit dhe nuk ka pasur raporte të transmetimit përmes ushqimit.
Për këtë arsye, EFSA aktualisht nuk është e përfshirë në përgjigjen ndaj shpërthimeve të COVID-19, por sidoqoftë, EFSA është duke monitoruar literaturën shkencore për ndonjë informacion të ri dhe të rëndësishëm.
Lidhur me sigurinë e ushqimit, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH/WHO) ka publikuar rekomandime paraprake.