Ambasadori amerikan është në kërkim të ndonjë gruaje për të udhëhequr partitë në Kosovë, ose edhe të gjithë vendin, shkruan Gazeta Express.
Për dy ditë rresht, amabsadori amerikan, Philip Kosnett, ka shkruar se sa të rëndësishme e kanë amerikanët që Kosova të ketë në pozita udhëheqëse gratë. Ai dje ka thënë se dëshiron të shoh gra në krye të partisë.
Me shpalljen e zgjedhjeve të LDK’së, kanë filluar të permenden kandidatët e mundshëm për të marrë kreun e kësaj partie.
Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani përmendet madje në dy top-pretendentët bashkë me Lutfi Hazirin.
Nuk dihet nëse zgjedhjet për kryetar të LDK’së ka qenë arsyeja e një shkrimit të ambasadorit Kosnett, apo ka rastisur që në kohën kur po komentohen kandidatët e mundshëm për të parin e LDK’së, diplomati të shkruar se dëshiron të shoh gra në krye të partive.
“Mungesa e grave në udhëheqjen e partive politike po e mban prapa Kosovën. Si mund një parti/shtet të jetë i suksesshëm pa talentet e grave”, ka shkruar dje në Twitter.
Ai kërkon që të gjitha partitë të përfshijnë në pozita udhëheqësi gratë.
“Le të shohim të gjitha partitë duke përfshirë gratë në pozita udhëheqëse. Kosova ka sukses kur gratë udhëheqin”.
Ndërkaq, Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa ka thënë sot se gjatë zgjedhjeve të degëve dhe nëndegëve të partisë, kanë synim që të kenë më shumë gra në udhëheqje.
Mirëpo, një objektiv të tillë, kreu i LDK’së duket se nuk e ka kur flitet për pozitën e kryetarit të partisë.
Mustafa, i pyetur sot nga Gazeta Express, nëse LDK është e gatshme për kandidaturë ose zgjedhje të një gruaja si kryetare, thotë se kushdo që arrin të marrë besimin e Kuvendit Zgjedhor të partisë, le të kandidoj.
“Në këtë garë do të marrin pjesë edhe gratë edhe burrat. Për ne është e dobishme që t’i kemi gratë në të gjitha nivelet. Por që të zgjedhet duhet të marrë përkrahjen e Kuvendit të LDK’së, ata janë përfaqësuesit e degëve, dhe ata e zgjedhin kryetarin”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, askujt nuk i duhet përkrahje tjetër pos të kuvendit zgjedhor.
Megjithatë dihet se në zgjedhjet e kaluara të LDK’së, në vitin 2015, deputetja Osmani nuk pati shansin as të kandidojë kundër Mustafës, pasi partia nuk ia mundësoi këtë.
Me vota të hapura, Osmani nuk arriti të marrë përkrahjen e 50 plus një për qind të votave të delegatëve.
Ndryshe, Kosnett edhe sot shkroi për nevojën e grave liderë në politikën kosovare.
Ai derisa u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me pjesën tjetër të Qeverisë për të folur rreth luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha se i vjen keq që në fotografi me zyrtarë të lartë të shtetit mungojnë gratë dhe kësijoj edhe suksesi.
Në Kosovë, Mimoza Kusari është gruaja e parë që ka udhëhequr një parti, Alternativën, e cila u krijua para dy vjetësh.
Po ashtu, Kusari është e para dhe e fundit që deri tash ka udhëhequr një komunë në Kosovë, atë të Gjakovës gjatë mandatit 2013-2017.
Ndërkaq Vjosa Osmani është gruaja më e votuar në nivel vendit me 65 mijë vota dhe e dyta më e votuara në LDK, pas bartësit të listës zgjedhore në 2017’ën.