110 kosovarë, prej të cilëve 4 ish-luftëtarë të IS-it, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë që ishin në zonat e konfliktit në Siri, janë rikthyer në mënyrë të organizuar mbrëmë në Kosovë. Ky operacion sipas autoriteteve kosovare ishte ndërmarrë nga qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E për personat që po mbahen në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll afër Prishtinës, njohësit e çështjeve të sigurisë theksojnë se institucionet shtetërore duhet t’i trajtojnë kujdesshëm këta persona, të hetohen mirë e sipas nevojës të ngrihen edhe akuza tjera.
Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Shpat Balaj, procesi i riintegrimit të personave të kthyer nga Siria duhet të zhvillohet me kujdes të madh ku secili institucion duhet t’i kryejë përgjegjësitë e veta me prioritet të madh.
Sipas Balajt, rreziqe potenciale nga kthimi i këtyre personave ka dhe kjo qëndron pasi që nuk dihet shkalla e radikalizimit, shkalla e rrezikshmërisë dhe arsyet për të cilat janë kthyer këta persona.
“Sfidat dhe rreziqet potenciale nga ky proces mund të vinë për shkak se është vështirë të matet niveli i radikalizimit tek të gjithë të kthyerit, qofshin ata luftëtarë apo jo; ende nuk dihet shkalla e rrezikshmërisë të të gjithë të kthyerve, gjendja shëndetësore apo arsyet që ata kanë për tu kthyer në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Për të, edhe pse rreziku nga këta persona është legjitim, ata janë përgjegjësi e shtetit dhe duhet të trajtohen me mjete të duhura e efektive. Sipas tij këto mjete përfshijnë aktivizimin e mjeteve për deradikalizim/riintegrim të personave që përballen me drejtësinë, ashtu edhe për ta që nuk përballen.
“Nuk dihet rrezikshmëria. Rrjedhimisht, shqetësimi për rrezikun potencial që mund ta paraqesin këta qytetar është legjitim, por megjithatë ata janë përgjegjësi e Kosovës dhe duhet të trajtohen nga institucionet e vendit. Institucionet e Kosovës duhet t’i hetojnë, mbikëqyrin dhe të ngrehin edhe akuza tjera sipas nevojës”, ka thënë Balaj për “Zeri.info”.
“Në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të aktivizohen të gjitha programet për deradikalizim/riintegrim, si ato në burgje për individët e kthyer të cilët ballafaqohen me drejtësinë, njëjtë edhe për fëmijët dhe gratë e kthyera. Duhet të ketë veprime të vazhdueshme të dedikuara për të gjithë të kthyerit si në nivelin lokal ashtu edhe nacional”, ka shtuar Balaj, i cili deklaroi se në gjithë këtë proces duhet të ketë bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.
Njohësi tjetër i çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë, Shefki Abdullahu, ka thënë se këta persona duhet të trajtohen në përputhje me ligjet në fuqi, të merren në pyetje, të nxirren informata nga ta dhe personat që i kanë detyruar ata të shkojnë në këto misione, të vihen përpara drejtësisë.
“Personat të cilët janë kthyer duhet trajtuar me kujdes dhe në përputhje të plotë me ligjet e Republikës se Kosovës. Njëkohësisht organet e hetuesisë duhet të nxjerrin informata nga ta dhe të zbulojnë individët apo grupet të cilat i kanë futur në lajthitje për t’i rekrutuar dhe dërguar në misione terroriste dhe më pas të gjithë të vihen para organeve të drejtësisë”, ka deklaruar Abdullahu.
Abdullahu thotë se Policia e Kosovës duhet të jetë në gjendje gatishmërie në raport me personat që propagandojnë e motivojnë të rinjtë për të shkuar në luftëra të huaja.
Kujtojmë se që nga marsi i vitit 2014, Kosova ka miratuar projektligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve kosovarë në konflikte që ndodhin jashtë vendit. Ky projektligj përcakton si vepra penale bashkimin apo pjesëmarrjen në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ligji sanksionon edhe personat apo organizatat që rekrutojnë, financojnë, nxisin udhëheqin apo trajnojnë personat ose grupet e personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ndonjë formacion ushtarak apo paraushtarak jashtë Kosovës.
Dënimet për shkeljen e këtij ligji, varësisht se për cilën dispozitë bëhet fjalë, parashihen nga 3 deri në 15 vjet burg.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 janë kthyer nëpër vite prej andej. Mbi 50 janë dënuar deri tani për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, për nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.