Sot dy javë në Kuvendin e Kosovës u votua Ligji i Ri për Pagat, por pakënaqësitë nuk kanë përfunduar.
Ligji i Pagave pas votimit në Kuvendin e Kosovës i është dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretim.
Por, pakënaqësitë janë ende të mëdha. Shumë sindikata të cilat janë pjesë e ligjit të pagave kanë bërë apel tek presidenti dhe avokati i popullit që ky ligj mos të dekretohet.
Sipas kushtetutës, afati ligjor për dekretimin e një ligji nga ana e presidentit të Kosovës, është 8 ditë, e tani veç kanë kaluar 4 ditë nga kur ky ligj ka arritur në presidencë.
Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu për lajmi.net, ka treguar se ligji mund të kthehet në Kuvend në rast se vendos presidenti.
“Ligji mund të mos dekretohet nga presidenti në afatin ligjor dhe kthehet në Kuvend. Mund të ndodhë për arsye të ndryshme, nëse shembull ligji shkel të drejtat e ndonjë grupi të caktuar”, tha Baraliu.
Ai gjithashtu vuri në dukje se një gjë e tillë është procedurë eksplicite që mund të ndodh në rastet kur ka pakënaqësi.
E pakënaqësitë ekzistojnë. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe Vjollca Shala nga SBASHK-u.
Ajo ka treguar se ekzistojnë pakënaqësi tek mësimdhënësit e ciklit të ulët ose klasor, të cilët kërkojnë të koeficienti i tyre të mos jetë për 15% më i vogël sesa i mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ultë.
Sa i përket pakënaqësive kjo është vërejtur edhe ditëve të fundit me protestat dhe grevat e reja.
Fillimisht Sindikalistët e Shërbimit Korrektues para dy ditëve mbajtën një protestë një orësh para Qeverisë së Kosovës si shenjë pakënaqësie me Ligjin e Pagave.
Sindikalistët kërkuan që koeficienti i tyre të rritet nga 1.85 në 2.2 në mënyrë që të jenë të barabartë me policinë dhe zjarrfikësit.
Pakënaqësi për Ligjin e Pagave kanë edhe Sindikata e Re e KEK-ut e Sindikata e Punëtorëve të Navigacionit Ajror.
SPERK, pas protestës së mbajtur para dy ditëve, kanë konfirmuar për lajmi.net se pritet të radikalizohen masat nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Ata thonë se do të futen në grevë.
Ndërsa dje është pezulluar greva e punëtorëve të Navigacionit Ajror të cilët po ashtu kanë kërcënuar dhe kanë kushtëzuar punën me plotësimin e kushteve të tyre.
Mbetet të shihet në afatin ligjor të paraparë nëse ky ligj do të dekretohet nga presidenti ose do t’i kthehet përsëri Kuvendit për rishqyrtim.