Me shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, Qeveria e Kosovës ka arritur të sigurojë votat për miratimin e buxhetit në seancën e Kuvendit të Kosovës që do mbahet sot e që në rend të ditës ka edhe votimin e buxhetit.
Shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ishte kushti i fundit që Partia Socialdemokrate i kishte vënë qeverisë disa javë më parë për votimin e buxhetit.
E kryeministri Haradinaj ka marrë sot vendim që ta lirojë nga pozita e Ministrit të e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalon. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Haradinaj i shprehu falënderim ministrit në largim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës.
Ndërsa, mbrëmë deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi paralajmëroi se para seancës së Kuvendit që do mbahej sot do të shkarkohej edhe ministri Rikallo.
“Nesër shkarkohet Rikallo. Nesër miratohet ligji për paga, që ua rritë pagat të gjithë punëtorëve të sektorit publik, kurse ua ulë politikanëve. Nesër miratohet ligji për dialog. Nesër bëhet komisioni ad-hoc për sistemin pensional”, tha Krasniqi.
Vetëm katër ditë pasi Ramush Haradinaj si kryeministër kishte prezantuar ministrat e tij- në shtator të vitit 2017 – ishte pikërisht Rikalo që mori vëmendjen më të madhe.
Banorët e lagjes Dardania në kryeqytet, e njihnin shumë përpara Rikalon, por jo si komshiun e mirë. Pretendimet për krime lufte, aktivizuan Prokurorinë, dhe dëshmitarë filluan të merren në pyetje.
Duke tërhequr paralele me situatën ku ishte gjendur një tjetër ministër që vinte nga komuniteti serb, Aleksandër Jabllanoviq, opozita nxitoi që përmes Kuvendit ta shkarkonte Rikallon.
Në debatin e ashpër në Kuvend, tetorin e vitit 2017, Rikallo ishte mbrojtur nga kryeministri Haradinaj.
Mocioni i LDK-së për shkarkimin e tij, kishte marrë 27 vota për, 40 kundër, ndërsa në fillimin e muajit nëntor, Prokuroria Speciale, bëri të ditur se nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme se Rikallo ishte i implikuar në krime lufte.
Kurse, subjekti i Rikallos, Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, është në dorëheqje që nga marsi i vitit të kaluar, si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës.