Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkruan se Serbia ka angazhuar profesionistë për t’u marrë me negociatat, ndërsa Kosova po provon të negociojë me “nipa, dajë, e tezakë”.
Pas raportimeve se në Zyrën Administrative të Ekipit Negociator janë punësuar njerëz të afërt të dy bashkëkryesuesve, Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt, ka reaguar deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku.
“Serbia, në dialog me Kosovën, ka angazhuar ekspertët më të mirë vendorë që ka. Ka angazhuar dhe këshilltarë ndërkombëtarë me plot nam”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai thotë se për një vend punës të ndonjë familjari, ekipi negociator po e merr në qafë vendin.
“Kosova ndërsa, “ekipi negociator” i saj, ka vendosur që në përballjen më të rëndësishme historike që ka, të angazhojë nipa, dajë e tezak. Për një vend pune për familjarë, marrin në qafë një vend të tanë”, thuhet në postimin e deputetit të LDK’së.
Më tutje, Abdixhiku shtone se “Pse të habitemi më pas se Serbia ecën përpara në Evropë; e ne mbesim në llumin e theqafjes së kapësve tonë”.
Më herët KTV raportoi se në listën e Zyrës Administrative të Ekipit negociator është edhe nipi i Limajt, ndërsa aty ka emra të tjerë të punësuar, e që janë të afërt me Nismën dhe Partisë Socialdemokrate.