Në shkurt të këtij viti në Kosovë bëri bujë një histori tronditëse: Një vajzë adoleshente nga Drenasi thuhet se ishte përdhunuar dhe abuzuar për dy vjet, së pari nga një mësues dhe më pas nga një oficer lokal i policisë, i cili e detyroi atë të kishte abort pasi mbeti shtatzënë.
Kështu e fillon shkrimin mediumi prestigjioz amerikan, The New York Times, sipas të cilit në një rajon siç është Ballkani, ku dhuna me bazë gjinore ka qenë një problem i shfrenuar, historia tragjike e vajzës ka provokuar të gjithë.
Si rezultat, thuhet tutje, përcjell Telegrafi, qindra njerëz, kryesisht gra, dolën në rrugë në mbështetje të saj, duke përdorur slogane kundër policisë dhe gjyqësorit, duke i akuzuar ata për dështimin për të mbrojtur të drejtat e grave, si dhe trupat e tyre.
Por, një rast i tillë, siç shkruan NYT, ka tronditur edhe udhëheqjen politike, të cilët ka detyruar për një diskutim publik, nga i cili edhe janë ekspozuar të metat e institucioneve të reja shtetërore të Kosovës.
Në parlament, ligjvënësit kërkuan një hetim tërësor. Presidenti Hashim Thaçi, i cili emëron gjykatësit dhe prokurorët e vendit, tha në një intervistë se ishte një “rast i trishtuar” dhe premtoi drejtësi. Hapa ndërmori edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Zakonisht, vë në pah The New York Times, çështjet e brendshme janë sekondare në Kosovë, një rajon kryesisht shqiptar etnik që shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Trupat e NATO-s ende mbajnë një paqe të tensionuar në rajon dhe shumica e udhëheqësve politikë të Kosovës janë ish luftëtarë guerilas, të cilët janë të fokusuar në njohjen e shtetësisë në arenën ndërkombëtare.
Por rasti i përdhunimit mund të jetë një përjashtim.
Në një intervistë me The New York Times, përcjell Telegrafi, adoleshentja ka treguar përvojën e saj. Por, nga frika e hakmarrjes, ajo pranoi të fliste vetëm në kushte anonimiteti.
Ajo ishte në shkollë të mesme dhe atlete, kur ajo tha se një mësues e joshi atë në një marrëdhënie seksuale në një premtim të martesës.
Kur zbuloi se ishte i martuar me fëmijë, ajo hyri në një stacion policor dhe raportoi për abuzim.
Ajo ishte 16 vjeçe dhe e pavetëdijshme se tronditja e saj e tmerrshme sapo kishte filluar.
Në stacion, ajo iu përgjigj pyetjeve për gati shtatë orë në praninë e një oficereje femër.
Pastaj një oficer mashkull e çoi në shtëpi. Atje, ai kërkoi numrin e saj të telefonit dhe nuk do ta linte atë nga makina deri sa t’i jepte celularin.
“Ai po shikonte fotografitë e mia dhe tha: Unë mund të shoh tani se pse mësuesi të është vënë pas”, ka rrëfyer ajo.
Pas kësaj, oficeri ishte kthyer në mënyrë të përsëritur në shtëpinë e saj, duke e kërcënuar t’u tregonte prindërve për marrëdhënien e saj me mësuesin, nëse nuk pranonte të takohej me të.
“Më duhej ta bëja. Kisha kaq frikë”, ka thënë ajo. Në vjeshtën e vitit 2017, ai e përdhunoi për herë të parë, tha ajo.
Më pas, ka rrëfyer vajza, ai vazhdoi ta thërriste dhe t’i dërgonte mesazhe, duke u paraqitur në shtëpinë e saj dhe duke e çuar në një motel lokal, duke e dhunuar tre deri katër herë në javë, përgjatë vitit 2018.
“Ai e krijoi këtë marrëdhënie në mënyrën se si e donte, pas herës së parë. Ai më kishte thënë se do të më vriste nëse refuzoja të dilja kur më thërriste”.
Kur ajo mbeti shtatzënë, tha ajo, e çoi atë në Prishtinë në janar dhe e detyroi atë të kishte një abort. “Një gjinekolog bëri procedurën kundër vullnetit tim”, tha ajo.
Tani 18 vjeçare, vajza ka thënë se dëshiron të dëshmojë në gjykatë, ndonëse ajo mbetet e frikësuar nga abuzuesit dhe shqetësimet e saj janë rreth asaj se si do të gjykohet në një shoqëri ku viktimat e dhunës seksuale shpesh fajësohen dhe turpërohen.
E gjendur në apartamentin e ngushtë ku jetonte me prindërit e saj dhe vëllanë më të madh, ajo tha se e kishte konsideruar edhe vetëvrasjen.