Fjalë Kyçe

Ag Apolloni: Çmimi i BE-së më ka nderuar dhe i kam nderuar

Ag Apolloni: Çmimi i BE-së më ka nderuar dhe i kam nderuar

Nën patronatin e Konsorciumit të Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsinë dhe programit Creative Europe, të hënën mbrëma, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka promovuar veprën e Ag Apollonit “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”

“Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” e shkrimtarit Ag Apolloni ka marrë çmimin “Special Mention” në kuadër të Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsinë. Në një ngjarje të organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, për ta shënuar një sukses të romanit të përuruar në pranverën e këtij viti në Panairin e Librit në Leipzig janë mbledhur lexues të Apollonit, ku u mbajt edhe një panel diskutimi
Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë, këtë vit nderoi shkrimtarin Ag Apolloni me çmimin “Special Mention” për romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”. Nën patronatin e Konsorciumit të Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsinë dhe programit “Creative Europe”, të hënën mbrëma, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka promovuar veprën e Ag Apollonit “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”.

Udhëhequr nga aktorja Vlora Mervoci mbrëmja ka nisur me një përshkrim të shkurtër mbi librin dhe biografinë e autorit Apolloni. Të pranishëm ishin lexues të Apollonit e adhurues të leximit për të cilët u realizua edhe një panel diskutimi. Ka dalluar nga promovimi i bërë në nëntor të vitit të kaluar në të njëjtin ambient.

Në bashkëbisedim me publikun Apolloni ka theksuar se e ka mirëpritur çmimin “Special Mention”. Ky çmim i është shtuar ngjarjes së fundmi derisa Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë sivjet shënoi edicionin e pestë.

“Çmimi si çdo çmim tjetër është i mirëseardhur. Ky është një çmim që ka filluar sivjet dhe realisht nuk është prej 2009-s dhe çdokush që konkurronte e kishte rastin edhe të fitojë, prandaj kanë fituar edhe shumë autorë. Mendoj se këta po e kërkojnë identitetin e vet si çmim, sigurisht që nuk e ka peshën e ndonjë çmimi më prestigjioz. Që nga sivjet janë në kërkim të identitetit të formimit si çmim dhe natyrisht që edhe më kanë nderuar edhe i kam nderuar”, ka thënë Apolloni.

Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë, i mbështetur nga programi “Creative Europe” i Bashkimit Evropian, është një iniciativë vjetore për të shpërblyer shkrimtarët në ngritje të letërsisë në Evropë. Çmimi synon të sjellë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane në fushën e letërsisë artistike, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare të vendeve evropiane.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku ka treguar se drejtuesit e kësaj ngjarjeje për letërsinë e kanë kërkuar një nominim nga ai, me ç’rast është nominuar Apolloni i cili edhe e ka fituar çmimin. Për “Kësulëkuqen…”, kishte rastisur të promovohej në kuadër të Panairit të librit në Leipzig në prill të këtij viti, kur edhe ishte vlerësuar prej Bashkimit Evropian.

“Sot është promovuar në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ vepra e shkrimtarit Ag Apolloni ‘Kësulëkuqja – përrallë për të rritur’. Ky roman ishte nominuar nga BKK për këtë çmim. Libri është përuruar në prill të këtij viti në Panairin e Librit në Leipzig. Ndërsa këtë vit me çmimin ‘Special Mention’ është nderuar në kuadër të Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsi. Drejtuesit e Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsi në edicionin e vitit të kaluar që ishte edicioni i pestë, m’u patën drejtuar që nga ana e Bibliotekës së Kosovës të nominohet një vepër letrare në prozë nga një prej autorëve në rritje nga Kosova”, ka bërë të ditur Gajraku.

Tema e përdhunimeve të shumta gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë është boshti rreth të cilit thuret vepra e Apollonit, “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”. Vepra shquhet nga një mënyrë e veçantë e rrëfimit dhe një strukturë në të cilën arrijnë të bashkëjetojnë edhe tema e dashurisë edhe ajo e përdhunimit.

Në romanin i cili është shpërblyer me çmimin, Ag Apolloni ka vendosur që ta kthente vëmendjen te ky fenomen e plagë e shoqërisë. Veprën, siç ka bërë të ditur kishte nisur ta shkruajë në Debrecen të Hungarisë.

“Kur kam dëgjuar nga një tjetër këndvështrim për përrallën ‘Kësulëkuqja’ se si nuk është një përrallë për fëmijë, por një përrallë për përdhunim atëherë mu duk shumë interesante dhe aty vendosa ta shkruaj ‘Kësulëkuqja – përrallë për të rritur’”, ka thënë Apolloni.

Romani “Kësulëkuqja” është i ndërtuar si një roman binar në të cilin zhvillohen dy linja paralele: ajo e përdhunimit dhe tjetra e dashurisë. Dy tema sa të afërta aq edhe të largëta nga njëra-tjetra për të cilat Apolloni ka thënë se janë edhe vështirë të pranueshme nga lexuesi.

Drejtoresha e “KultPlus”, Ardianë Pajaziti. Ka thënë se gjatë leximit sa shumë i ka pëlqyer aq edhe ka hapur plagë të përjetimeve nga lufta e fundit në vend.

“Romanin ‘Kësulëkuqja – përrallë për të rritur e kam lexuar me shumë ëndje dhe kur mora ftesën me qenë paneliste në këtë promovim e pata një ndjenjë shumë të mirë. Unë jam shumë me fat, sepse atë ndjesinë e brendshme mund ta shfaq me komplet kompetencën time, sepse është prej romaneve që të sjell një ndjesi dhe i bën bashkë krejt ato copëzat e bukura. Pasi që e kam lexuar romanin ka pasur momente që më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe ka momente që ia kam marrë inat shkrimtarit pasi që e ka rikujtuar dhembjen nëpër të cilën kemi kaluar”, ka thënë Pajaziti.

Ag Apolloni është shkrimtar, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Veprat e tij letrare, sipas kritikës, dallohen për dimensionin e tyre dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë. Romani i tij, “Ulurima e ujkut” së fundmi është përkthyer edhe në gjuhën malazeze, përderisa më herët qe botuar edhe në maqedonisht dhe në çekisht. Disa pjesë “flasin” edhe anglisht e serbisht. “Një fije shprese një fije shkrepëse”, që doli më 2020, është botuar edhe në Holandë.