Me rastin e zyrtarizmit të kësaj nisme, kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, tha se drejtat e gazetarëve në disa media vazhdojnë të jenë problematike.
Po ashtu, ajo u shpreh se derisa gazetarët kujdesen të raportojnë për të tjerët janë edhe vet ata që përballen me shkelje të të drejtave të tyre, siç është shkelja e kontratës, oraret e tejzgjatura të punës dhe mos përmbushja e obligimeve nga punëdhënësi karshi pushimeve javore dhe vjetore.
E para e AGK-së bëri të ditur se shumë shpejt do të ofrojnë një numër të telefonit, ku njoftojë Inspektoratin e Punës.
Po ashtu, ajo tha se si AGK do të mundohen që të ruhet identiteti i punonjësve të mediave të cilët do të paraqesin shkeljet në vendet e tyre të punës.
Pustina ka kërkuar nga Inspektorati i Punës që trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve.
Ndërkaq, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, tha se asnjë medium nuk do të ketë imunitet nëse evidentohen shkelje dhe për to do të ketë edhe masa ligjore.
Ibrahimi tha se janë të vetëdijshëm që gjendja e të drejtave të punëtorëve medial nuk është në nivelin e duhur, por u shpreh se numri i vogël i inspektorëve e pamundëson që të bëhen më shpesh inspektime.
Sa i përket kërkesës nga AGK që rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritet, Ibrahimi u shpreh se nuk mund ta premtojë një gjë të tillë, pasi sipas tij ka edhe shumë punëtor të tjerë të cilët janë krejtësisht të pambrojtur në vendin e tyre të punës.
Ai ka treguar se në vitin 2016 kanë bërë një inspektim të mediave, ku kanë hasur 43 punëtorë pa kontrata të punës, shkruan kp.
Po ashtu, bëri të ditur se një numër i madh i punëtorëve kanë qenë me kontrata për shërbime specifike, si dhe mos respektimi i pushimeve javore dhe vjetore.
Një ndryshim që do të jetë këtë herë sipas Ibrahimit është se të gjitha të dhënat do të bëhen publike.
Kreu i Inspektoratit të Punës ka kërkuar bashkëpunim nga gazetarët që të mos hezitojnë të tregojnë problemet me të cilat përballen në vendet e tyre të punës.
Po ashtu, ka kërkuar bashkëpunim edhe sa i përket evidentimit të portaleve të cilat nuk i kanë publike adresat e tyre.
Nisma për inspektimin e mediave do të filloj të hënën e javës së ardhshme dhe do të zgjasë deri në fund të muajit mars.