Fjalë Kyçe

Ahmeti i reagon Vuçiqit për statutin e Trepçës: Kuptoje se Kosova është shtet i pavarur

Ahmeti i reagon Vuçiqit për statutin e Trepçës: Kuptoje se Kosova është shtet i pavarur

Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti i është kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili sot përmendi Trepçën, si kusht tjetër për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Ahmeti ka shkruar se Vuçiqi dhe të gjithë të tjerët duhet ta dinë një gjë që Republika e Kosovës, është shtet i pavarur dhe sovran dhe vendimet i merr sipas procedurave institucionale, shkruan Gazeta Alo.

Ahmeti ka thënë se është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog.

Postimi i tij i plotë:

Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”!

Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale. Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës.

Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit.

Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë./Gazeta Alo/