Bashkëkryesuesi i Ekipit shtetëror për bisedime me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka sulmuar Bashkimin Evropian, në mbrëmjen e së mërkurës. Ahmeti e ka akuzuar Brukselin se po hesht përballë përpjekjeve të Serbisë për të penguar integrimin të serbëve të Kosovës në institucionet e vendit.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai i ka bërë thirrje BE’së që “ta ndërprejë heshtjen ndaj politikës së Serbisë kundër serbëve të Kosovës.
“Përderisa Beogradi zyrtar e ka dinamizuar aktivitetin e tij politik kundër integrimit të serbëve të Kosovës, Bashkimi Evropian vazhdon heshtjen”, ka shkruar Ahmeti.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi ka inkurajuar sot serbët e Kosovës të mos përfshihen në institucionet e Kosovës, si dhe të dalin nga ushtria e Kosovës e cila sipas tij “shërbimin e vetëm që mund ta kryejnë është vrasja e serbëve”. Me sa duket përvoja e tij në Bosnje dhe në Kosovë po e ridëshmon doktrinën e tij për ushtrinë, kur ushtria “jugosllave” vriste shtetasit e saj, me mbështetjen dhe bekimin politik të partisë së atëhershme të Vuçiqit. Kritika e vetme e tyre ishte se ajo nuk ishte mjaft “efikase””, ka deklaruar Ahmeti.
“Nga ana e saj, kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që i rikujton shqiptarëve se “jemi në shekullin XXI”, po i mungon vetëm edhe citimi i “babait të kirurgjisë serbe“, Vladan Gjorgjeviqit, për “shqiptarët me bisht””, thekson ai.
“Po dhuna politike e Serbisë shtetërore kundër (integrimit të) serbëve të Kosovës bëhet edhe më e drejtëpëdrejtë kur Marko Gjuriqi ushtron sot presion të drejtëpëdrejtë shtetëror ndaj ministres së re të Kosovës për Bujqësi, Dijana Zhiviq, me gjuhën e njëjtë të Millosheviqit, që “bashkëpunimi i serbëve me institucionet e Kosovës qenka veprim kundër interesave të kombit serb””, shprehet Ahmeti.
“Përsëri asnjë reagim nga Brukseli”, thekson ai.
“Emërimi i Dijana Zhiviqit, si grua dhe si pjesëtare e komunitetit serb të Kosovës, është për t’u përshëndetur. Ajo, si dhe çdo qytetar që dëshiron të jetojë në paqe dhe të bashkëjetojë në harmoni me qytetarët e përkatësive të ndryshme etnike në Kosovë duhet të mbrohet nga institucionet dhe shoqëria jonë kundër presioneve të qeveritarëve të Serbisë”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka shtuar se “ministrja e re e Bujqësisë e Republikës së Kosovës duhet të mbrohet nga Qeveria e Serbisë dhe të gjykohet vetëm se mbi performansën e politikat e saj në sektorin e bujqësisë”.