Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) menaxhon të gjitha ndërmarrjet shoqërore në vend, dhe ka derdhur qindra miliona euro në buxhetin e Kosovës, por objekti ku funksionon vetë nuk i plotëson as për së afërmi kushtet për punë.
Madje, edhe kjo hapësirë i takon Komunës së Prishtinës dhe ajo vazhdimisht i ka bërë presion që t’ia lirojë.
Por, drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, thotë se ky problem do të zgjidhet këtë vit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Tolaj ka treguar se tashmë ka nisur renovimi i hapësirave ngjitur me ish-Pallatin e Rilindjes, përkatësisht pjesa e shtypshkronjës, pas një marrëveshjeje me Ministrinë e Administratës Publike.
Tolaj, i cili e mori detyrën në nëntor 2018, e pranon se është habitur me kushtet në zyrat qendrore të AKP-së, ku aktualisht punojnë rreth 150 punëtorë.
“Një fakt që më ka habitur në momentin që e kam marrë mandatin në AKP ka qenë objekti. Pyetja e parë që e kam bërë ka qenë si është e mundur që AKP-ja administron të gjitha ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, dhe të gjitha objektet që kanë status shoqëror në Kosovë, dhe vetë është e vendosur në një ambient, i cili të them të drejtën, vetëm ambient pune nuk është.
Një ndër vendimet e para që kam marrë ka qenë vendimi për të lëvizur nga ky objekt”, ka thënë ai.
Kreu i AKP-së thotë se kanë hasur në mirëkuptim me Ministrinë e Administratës Publike për t’u vendosur afër disa ministrive, pasi kanë dashur t’i shmangen objekteve private me qira.
“Në bashkëpunim me MAP-in po shpresojmë që shumë shpejt do të lëvizim, diku nga fundi i vitit planifikohet, për shkak të renovimit. Ideja ime ka qenë mos të lëvizim në objekte private me qira përderisa ekziston prona publike, që të shmangin pagesën e qirave apo keqkuptimeve të ndryshme. E ndjej obligim, si drejtor menaxhues që të jem në shërbim të komplet stafit të agjencisë, sepse vendi ku punojmë është me të vërtetë i keq”.
“Vetëm kushte për punë këtu nuk ka. Edhe këtu kemi punuar me përkushtim deri më tash, por me padurim po presim lëvizjen në një ambient sado komod për ne. Kudo që të lëvizim është më mirë se këtu”, shtoi Tolaj.
Pos kushteve më të mira të punës, drejtori menaxhues i AKP-së pohon se edhe Komuna e Prishtinës iu ka bërë presion për lirim e kësaj hapësire, pasi objekti i AKP-së (ndërmjet RTK-së dhe ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës) është në pronësi të Komunës.
“Ne presim nga fundi i vitit, varësisht procedurave të renovimit nga Ministria e Administratës Publike dhe shpresojmë që këtë vend ta lirojmë. Edhe ashtu, kjo hapësirë është e Komunës së Prishtinës. Komuna shpeshherë bën presion për lirimin e kësaj hapësire”.
“Nuk ka qenë në vullnetin tonë, ndoshta nuk ka qenë as në mundësinë e ish-menaxhmentit, nuk dua ta fajësoj askënd pse kanë mbetur këtu. Kryesorja zgjidhjen e kemi gjetur edhe shpresoj që shumë shpejt të lëvizim dhe të kemi edhe ne një hapësirë pak më të mirë për punë”, tha Tolaj.