Njëzet vjetori i masakrave në Kosovë është përcjellë me deklarata politike. Në Serbi duke u mohuar krimet nga udhëheqësit e shtetit, dhe në Kosovë duke kritikuar heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj këtij mohim. Ambasada amerikane, përmes një deklarate, thotë se mohimi i mizorive ofendon viktimat në luftën e Kosovës.
Ambasada amerikane sot ka ngushëlluar të gjithë familjarët që po përkujtojnë 20 vjetorin e të rënëve gjatë luftës në Kosovë.
Në deklaratën e ambasadës thuhet se të mohuarit e krimeve të luftës, i ofendon kujtimet për viktimat, shkruan Gazeta Express.
“Gjersa Kosova përkujton 20 vjetorin e mizorive të luftës, Ambasada e SHBA-ve shprehë ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave. Të mohuatrit e mizorive ofendon kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë, dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik. Ne poashtu nxisim udhëheqësit e Kosovës nga radhët e gjitha bashkësive që të përmbahen nga retorika ndezëse. Përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Në deklaratat e krerëve shtetërorë gjatë ceremonive përkujtimore të viktimave në masakrat e 20 vjetëve më parë, disa herë kanë përsëritur se bashkësia ndërkombëtare po hesht ndaj mohimit të krimeve nga liderët serbë.