Dy ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe Kyle Soctt, kanë dalë me një qëndrim të përbashkët se viti 2019 duhet të jetë vit i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tyre, Kosova duhet të marrë vendim për pezullimin e taksës, në mënyrë që të zhbllokohet dialogu, ndërsa Serbia të ndërpres qasjen destruktive ndaj Kosovës.
Kosnett e Scott thonë se nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë mund të ketë shpresë së do të arrihet një marrëveshje historike për normalizimin e raporteve në vitin 2019.
Ata thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të caktojnë se cila do të jetë marrëveshja, dhe nuk do të ndërhyjnë në atë se si do të duket marrëveshja, duke saktësuar se çfarëdo marrëveshje që arrihet ndërmjet dy vendeve duhet t’i kontribuojë stabilitetit të rajonit dhe të burojë nga vullneti i popullit.
E për të arritur këtë marrëveshje ata thonë se edhe Kosova edhe Serbia do ta kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat po ashtu do të jenë edhe garantuese që çfarëdo marrëveshje që do të arrihet të zbatohet nga të dy palët.
Scott e Kosnett potencojnë se nëse humbet ky rast për arritjen e një marrëveshje finale e historike do të jetë humbje e një mundësie historike.
Opinioni i plotë:
Guximi dhe kreativiteti i udhëheqësve në Athinë dhe Shkup për ta zgjidhur mospajtimin që zgjati me dekada do të duhej ti frymëzonin të gjithë në rajon. Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë, jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Kjo e arritur do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon.
Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina ti kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dy palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën.
E keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Para ca kohësh, Presidenti Trump iu shkroi udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës për ti nxitur të dy vendet për ta “shfrytëzuar këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dy vendeve”. Presidenti Trump shtoi: “Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi unike për paqe, siguri dhe rritje ekonomike”. Presidenti Trump ishte po aq i qartë edhe në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësit e përgjegjshëm e kanë për detyrë t’ju shërbejnë qytetarëve të tyre.
Ne besojmë se një marrëveshje është e mundshme dhe shpresojmë të festojmë bashkë me ju, ashtu siç e festojmë guximin e prijësve grekë dhe maqedonas. Në fakt, Presidenti Trump tashmë i ka ftuar Presidentin Vuçiq dhe Presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë të arritur sapo të ndodhë. Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet ti kontribuojë stabilitetin afatgjatë të rajonit. Iu takon prijësve dhe ekipeve të tyre për ti rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’ju ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin.
E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë. Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien. Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të anët, për t’ju dhënë të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë hise në suksesin e saj. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy anët në mënyrë efektive e ndërtojnë dhe e zbatojnë një marrëveshje jetëgjatë. Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon. Nëse të dy anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez.
Status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dy vendet, si dhe ka bërë që profesionistët dhe të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më stabile me ekonomi më dinamike. Në vend të tyre po zënë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjerë ekstremistë duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë.
Asnjëri vend nuk përfiton nga obstruksionizmi dhe vonesat e vazhdueshme. Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen dhe mbarësinë e jo konfliktin dhe vështirësitë ekonomike.
Një marrëveshje kompromisi, e qëndrueshme dhe e zbatueshme, është në interes të të dy vendeve. Stabiliteti dhe mbarësia afatgjatë e Kosovës dhe Serbisë varen në kthimin te dialogu i udhëhequr nga BE-ja dhe guximi për të tejkaluar të kaluarën dhe të për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët së bashku. Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për tu nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës.