Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka vizituar Policinë e Kosovës, ku edhe është pritur nga Drejtori i Përgjithëm i i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.
Temë diskutimi e këtij takimi ishin siguria e përgjithshme në Kosovë, lufta kundër të gjitha llojeve të krimit, ngritja dhe forcimi i integritetit dhe kapaciteteve policore, vazhdimi i bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, si dhe synimi drejt anëtarësimit të PK-së në organizata ndërkombëtare, shkruan Gazeta Alo.
Drejtori Qalaj iu adresua me një falënderim të veçantë ambasadorit amerikan z. Kosnett për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-ja ka bërë dhe po vazhdon ta bëjë ndaj Policisë së Kosovës, njëkohësisht njoftoi të pranishmit se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore karshi qytetarëve pa dallime, në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.
Ambasadori Kosnett vlerësoi përpjekjet dhe kontributet e PK-së për sigurinë e të gjithë qytetarëve, dhe ishte i inkurajuar nga politikat e Policisë së Kosovës që kanë të bëjnë me përfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjitha etniciteteve. Ambasadori Kosnett konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Amerikës ndaj Policisë së Kosovës, veçanërisht në lidhje me fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë./Gazeta Alo/