Kelly Knight Craft nga shteti Kentucky është zgjedhur ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara. Ajo u konfirmua këtë javë në Senat falë një shumice të vogël.
Demokratët vunë në dukje mungesën e përvojës në politikën e jashtme duke ngritur dyshime për aftësinë e saj për të drejtuar një post me rëndësi të madhe diplomatike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer ka më shumë.
Tre breza të familjes së Craftit kanë jetuar në shtetin e Kentuckyt. Ajo është mbesë e fermerëve që kanë kultivuar duhan dhe një ish-biznesmene.
Kelly Knight Craft dhe bashkëshorti i saj, Joe, një sipërmarrës miliarder në industrinë e qymyrgurit, janë të mirënjohur në qarqet republikane si donatorë të fuqishëm. Ata kanë kontribuar në disa fushata për zgjedhjet e Senatit dhe kanë dhuruar 1 milion dollarë për fushatën e zotit Donald Trump për president në vitin 2016.
Rreth dy vite më parë Presidenti Trump e emëroi atë si emisaren të SHBA-së në Kanada. Mandati i saj atje u shënjua nga negociatat për marrëveshjen e re tregtare mes SHBA-së, Kanadasë e Meksikës.
Por përveç këtij pozicioni të cilin e mbajti për një kohë të shkurtër, zonja Craft nuk ka përvojë në politikën e jashtme, një fakt ku u fokusuan senatorët demokratë gjatë seancës së konfirmimit të saj në muajin qershor.
“Zonja ambasadore më lejoni të jem i sinqertë, kam rezerva të thella në lidhje me mungesën e kualifikimit tuaj për një rol kaq kompleks e të vështirë. Historikisht, ambasadorët e SHBA-së në Kombet e Bashkuara kanë sjellë përvojë të konsiderueshme në poste ekzekutive apo përvojë pune të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme”, tha senatori demokrat Bob Menendez.
Menendez ngriti gjithashtu pikëpyetje rreth mungesës së saj për ditë të tëra gjatë ushtrimit të detyrës së ambasadores në Kanada, më shumë se gjysmën e mandatit të saj, gjithsej 608 ditë.
“E gjithë kjo kohë larg detyrës më duket shumë shqetësuese dhe shmangie e përgjegjësisë së drejtimit të asaj zyre”, tha ai.
Pavarësisht kritikave, një nga analistët me përvojë të Kombeve të Bashkuara, Richard Gowan, i tha Zërit të Amerikës se Craft mund ta përballojë këtë detyrë.
“Craft nuk ka një eksperiencë të fortë në diplomacinë shumëpalëshe, por këtë problem kishte edhe paraardhësja e saj, Nikki Haley. Mendoj se pritshmëritë për të janë të ulëta, por ajo mund të jetë në gjendje të krijojë miq mes aleatëve amerikanë në Kombet e Bashkuara, nëse do të jetë e gatshme të punojë në mënyrë kolegjiale”, tha Richard Gowan, drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në OKB.
Një nga përparësitë kryesore të OKB-së është ngadalësimi i ngrohjes globale. Craft është kritikuar lidhur me pikëpamjet e saj mbi ndryshimet klimatike. Familja e saj ka lidhje me industrinë e qymyrgurit dhe ajo dikur gjatë një interviste për një gazetar kanadez, pati thënë se i beson “të dyja palët” në debatin për klimën.
Por lidhur me këtë çështje gjatë seancës së konfirmimit të saj ajo tha: “Ndryshimi i klimës duhet të adresohet pasi paraqet rrezik real për planetin tonë. Aktiviteti njerëzor ka kontribuar në ndryshimet klimatike. Nuk duhet të ketë dyshim për këtë. Unë do ta marr seriozisht këtë çështje dhe nëse konfirmohem do të jem aktive për të nxitur vendet e tjera të bëjnë atë që u takon në adresimin e kësaj çështjeje”.
Kelly Knight Craft zëvendëson Nikki Haleyn, e cila u largua nga posti shtatë muaj më parë. Haley ka pasur detyrë në nivelin e anëtarit të kabinetit qeverisës dhe kultivoi një profil të lartë politik, ndryshe nga Craft. Analistët thonë se Craft ka të ngjarë të ketë një rol më të kufizuar sesa Haley lidhur me politikën e jashtme amerikane./VoA