Fjalë Kyçe

Arabia kërkon dënim me vdekje për të riun e arrestuar në moshën 13-vjeçare

Arabia kërkon dënim me vdekje për të riun e arrestuar në moshën 13-vjeçare

Arabia Saudite është duke e kërkuar dënimin me vdekje të një personi që në momentin e arrestimit ka qenë në moshën 13-vjeçare. Lajmin e kanë bërë të ditur ekspertët për të drejtat e njeriut.

Murtaja Qureiris, tashmë 18-vjeçar, po përballet me dënimin me vdekje për shkak të akuzave për protestë kundër qeverisë, pjesëmarrje në organizatë terroriste, sulm ndaj forcave të sigurisë dhe prodhim të koktejve të molotovit, të cilët janë hedhur në një stacion policor.

Djaloshi i ka mohuar akuzat, duke thënë se rrëfimin në polici e ka bërë për shkak të presioneve dhe kërcënimeve, shkruan “Independent”.

Organizata “Amnesty International” ka marrë vesh se prokurori publik ka kërkuar dënim me vdekje për të riun për shkak të akuzave që datojnë nga koha kur i akuzuari ishte në moshën 10 vjeçare.

“Nuk ka fyshim që autoritetet e Arabisë Saudite janë të gatshme për çdo vendim për t’i shtypur qytetarët e vet, përfshirë zbatimin e dënimit me vdekje për meshkujt që ishin shumë të rinj në kohën e arrestimit”, tha drejtoresha e organizatës “Amnesty International” për Lindje të Mesme, Lynn Maalouf.

Ajo shtoi: “Është shokuese që djaloshi përballet me dënimin me vdekje për pjesëmarrje në protestë kur ka qenë vetëm 10 vjeçar”.