Fjalë Kyçe

Arabia Saudite kërkon nga myslimanët që t’i shtyjnë rezervimet për Haxh

Arabia Saudite kërkon nga myslimanët që t’i shtyjnë rezervimet për Haxh

Arabia Saudite ka kërkuar nga myslimanët që planifikojnë të marrin pjesë në peligrinazhin e Haxhit që t’i shtyjnë rezervimet për shkak të pasigurisë lidhur me koronavirusin.

Ministri i Haxhit, Mohammed Banten, ka thënë se mbretëria është e shqetësuar për sigurinë e pelegrinëve, prandaj ka lutur njerëzit që “të presin edhe pak kohë para së të nënshkruajnë marrëveshje”.

“Arabia Saudite është plotësisht e përgatitur t’i shërbejë haxhilerëve dhe kërkuesve të Umrës në të gjitha rrethanat. Por, në rrethanat aktuale, ndërsa po flasim për pandeminë globale, nga e cila e kemi lutur Zotin që të na shpëtojë, mbretëria dëshiron që të mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe myslimanëe.

“Prandaj, ju kemi kërkuar vëllezërve myslimanë në të gjitha shtetet që të presin, përpara se të nënshkruajnë marrëveshje [me operatorët turistikë], derisa situata të jetë krejtësisht e qartë”, ka thënë Banten në media.

Rreth dy milionë njerëz pritej që të udhëtonin drejt Mekës dhe Medinës në muajt korrik dhe gusht për ngjarjen e përvitshme.

Pelegrinazhi më i vogël, Umra, tashmë është pezulluar si masë paraprake në përpjekjen për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit.

Njerëzit po ndalohen gjithashtu që të hyjnë në Mekë dhe Medinë, ashtu si edhe në kryeqytetin arab Riad, pasi autoritetet po përpiqen që ta ndalin shpërthimin e Covid-19 në Arabinë Saudite – ku janë të paktën 1563 persona të infektuar dhe 10 të vdekur deri tani.