Avni Arifi shef i kabinetit të Kryeministrit Ramush Haradinaj ka thënë se taksa për 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e rrezikon mirëqenien e qytetarëve e as nuk krijon krizë humanitare.
“Qeveria e Kosovës kurrë s’ka marrë veprime që cenojnë apo rrezikojnë mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve të saj pavarësisht përkatësisë etnike. Veprimet tona po e zhveshin propagandën e qeverisë së Serbisë se taksa 100% krijon krizë humanitare. Nuk ka krizë. Kosova sot ka liruar donacionin lidhur me medikamente dhe pajisje mjekësore dedikuar Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut me vlerë prej 242,356 euro. Taksa është për shtetin e Serbisë dhe politikën e saj e jo për qytetarët tanë”, ka shkruar Arifi në profilin e tij, në Facebook, shkruan Telegrafi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, ka vënë taksë prej 100 për qind, për produktet e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Sipas raporteve deri më tani Serbia ka pasur humbje prej mbi 23 milionë eurove.