Fjalë Kyçe

Arrestohet hajni i ‘TEB Bank’

Arrestohet hajni i ‘TEB Bank’

Policia e Kosovës në orët e para të ditës së sotme ka arrestuar një person, i cili dyshohet se në nëntorin e vitit të kaluar kishte kryer grabitje të armatosur në “TEB Bank”.

Më 26 nëntor të vitit të kaluar, në rrugën “Robert Doll”, në Prishtinë nën kërcënimin e armëve ishte grabitur “TEB Bank”.

Që nga ajo kohë, personat e dyshuar kanë qenë në arrati mirëpo, sot Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se e ka kryer këtë grabitje të armatosur dhe se që nga nëntori i vitit të kaluar ai ka qenë në kërkim të policisë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

“Ju konfirmoj se, pas angazhimeve intenzive hetimore dhe operacionale të Policisë së Kosovës, me datë 10.03.2019 rreth orës 00:30, në Prishtinë është arrestuar një person i dyshuari për veprën penale Grabitje e Armatosur që ka ndodhur me datë 26.11.2018, në rr. Robert Doll në Prishtinë në një filial të bankës”, ka treguar Hoxha.

Ai po ashtu ka thënë se gjatë arrestimit të tij, Policia është detyruar të përdor forcën pasi që i dyshuari ka rezistuar dhe se i njëjti person ka qenë në arrati që nga kryerja e vjedhjes.

“Personi i dyshuar ka qenë në arrati që nga kryerja e grabitjes, dhe i njëjti ka rezistuar gjatë arrestimit, zyrtarët policor janë detyruar që për ta futur nën kontroll të kërkuarin kanë aplikuar forcën e domosdoshme dhe proporcionale për arrestimin e tij. Gjatë arrestimit edhe një zyrtar policor ka pësuar lëndime të lehta trupore”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas Hoxhës, tek i dyshuari janë konfiskuar shuma parash, përfshirë euro dhe dinarë të Serbisë.
“Në konsultim me Prokurorin kujdestare, i dyshuari dërgohet në Qendër te Ndalimit, për procedura të mëtejme”, ka treguar Hoxha.

Ai po ashtu ka thënë se, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e rasteve të tilla kriminale dhe po punon me njësitet e saj për sjelljen para drejtësisë edhe të personave tjerë të dyshuar të implikuar kryesisht në raste të grabitjeve me armë dhe vepra tjera kriminale.

Ndryshe, fundi i vitit 2018 dhe fillimi i vitit 2019 po cilësohen si vitet me më së shumti raste të grabitjeve të armatosura që kryesisht kanë ndodhur nëpër banka dhe biznese tjera të mëdha.

Madje, nga një shkëmbim me armë zjarri në një bankë të Istogut në dhjetor të vitit 2018 kanë humbur jetën dy persona. Polici Izet Demaj dhe hajni Kamer Metaj.