Fjalë Kyçe

ATK e mbush buxhetin e shtetit me rreth 500 milionë euro

ATK e mbush buxhetin e shtetit me rreth 500 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës edhe në vitin 2019, është ballafaquar me vështirësi në inkasimin e borxheve në pjesën veriore të Kosovës. Janë mbledhur 106 milionë euro prej 357 milionë euro. Sektori i ndërtimtarisë me shkallën më të lartë të informalitetit, thotë ndër të tjera drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore e Kosovës, Ilir Murtezaj në një intervistë për KosovaPress.

Sipas tij, në vitin 2019, ATK ka shënuar progres në inkasimin e të hyrave vjetore, ku për periudhën janar- dhjetor ka mbledhur rreth 500 milionë euro.

Ai shtoi gjatë vitit që lamë pas nuk kanë munguar as sukseset në grumbullimin e borxheve, ku deri tani janë mbledhur gjithsej 106 milionë euro, prej gjithsej 357 milionë euro në total sa është borxhi ndaj ATK-së.

Murtezaj për KosovaPress, thotë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mbledhja e borxheve është rritur për 40 përqind.

E përkundër përpjekjeve që edhe pjesa veriore të trajtohet e barabartë me pjesë tjetër të Kosovës, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj thotë për KosovaPress, se kanë vështirësi në mbledhjen e borxheve dhe identifikimin e tatimeve reale në Mitrovicën Veriore.

Edhe në vitin 2019, informaliteti ekonomik ka qenë sfidë për ekonomin e Kosovës, e cila sipas Murtezajt, në 10 vitet e fundit niveli i informaliteti është 30 përqind.

Sipas tij, gjatë këtij viti ATK ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh me qëllim të uljes së këtij niveli të informalitetit në Kosovë.

Sektori me nivelin më të lartë të informalitetit sipas drejtorit të ATK-së, është sektori i ndërtimtarisë.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë se disa nga prioritetet e këtij institucioni për vitin 2020, janë ngritja profesionale e stafit, ngritja e llogaridhënies, inkasimi i borxheve të mbetura etj.