Në mars 2023, Audi njoftoi një nomenklaturë të re për modelet e saj për të dalluar më qartë veturat me motor me benzinë nga automjetet elektrike.
Plani ishte që modelet elektrike të përdornin numra çift, ndërsa modelet e motorëve me djegie të brendshme do të përdornin numra tek, transmeton Telegrafi.
Kjo nomenklaturë ishte aktuale në nëntor të vitit të kaluar, kur gjenerata e re A7 u shpall si zëvendësim për A6. Megjithatë, tani marka premium gjermane po i kthehet strategjisë së saj të vjetër të emërtimit të automjeteve.
Tani e tutje, numrat pranë shkronjave do të tregojnë përsëri madhësinë e automjetit, jo llojin e veturës. Për të dalluar veturat me motorë me djegie të brendshme nga modelet elektrike, do të përdoren prapashtesat e mëposhtme:
TFSI – motorët me benzinë
TFSIe – hibride plug-in
TDI – naftë
e-Tron – modele elektrike
Përveç kësaj, Audi do të ruajë emërtimet e varianteve të trupit: Sedan, Avant dhe Sportback.
Shumë mendonin se Audi nuk duhet të kishte ndryshuar strategjinë e vjetër, të provuar dhe të testuar të emërtimit.
Gjithashtu, sistemi i përcaktimit i bazuar në fuqinë e motorit (për shembull, 55 TFSI ose 40 TDI) ishte konfuz.
Për fat të mirë, ajo shenjë e palogjikshme me dy shifra tani është një gjë e së kaluarës. Një ide të ngjashme kishte edhe Cadillac, i cili përdorte çift rrotullues (Nm) në vend të kuaj-fuqive, por as ajo nuk u prit mirë.
Modeli i parë që do të përdorë nomenklaturën e re/të vjetër do të jetë gjenerata e ardhshme A6. Fillimisht ishte menduar të riemërohej A7, por kjo nuk do të ndodhë tani.
Premiera e modelit A6 të ridizajnuar me motorë me djegie të brendshme është planifikuar për 4 mars, ndërsa versioni elektrik do të quhet A6 e-Tron.
Një RS6 Avant i ri është gjithashtu në punë, por ka raporte shqetësuese se do të humbë motorin V8 në favor të një plug-in hibrid V6.
Audi do të vazhdojë të përdorë emërtimin “A” për limuzinat dhe “Q” për crossovers. Megjithatë, modelet më të vogla në gamë do të hiqen gradualisht – A1 dhe Q2 zhduken nga tregu në fund të ciklit të tyre të jetës.
Kjo strategji e re vlen vetëm për modelet e ardhshme, që do të thotë se veturat ekzistuese nuk do të riemërohen – A5 e re nuk do të bëhet më A4.
Audi fillimisht kishte planifikuar elektrifikim të plotë deri në vitin 2033, por tani po i rishqyrton planet, pasi klientët ende preferojnë automjetet me motorë SUS. Kompania tani mbetet fleksibël dhe i përshtatet tendencave të tregut.