Bienalja ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale” e ka dokumentuar edicionin e vet edhe me libër. Nëpërmjet “Autostrada Biennale: Libri i përbashkët” janë publikuar të gjitha aktivitetet e bienales së parë të artit bashkëkohor në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
I ndarë në tre kapituj, libri i përgatitur nga ekipi i kësaj ngjarjeje shtjellon konceptin kuratorial të edicionit të parë, që është mbajtur prej 19 gushtit deri më 13 shtator 2017 në Prizren, me temën “E ardhmja e kufijve”. Aty zënë vend pamjet dhe shpjegimet për veprat e artistëve pjesëmarrës, hapësirat ku janë ekspozuar ato, eloborohet programi i edukimit joformal e ndahen edhe përshtypje të atyre që kanë marrë pjesë. Në 20 faqe është futur brenda kornizave të një libri i gjithë aktiviteti i deritashëm i “Autostrada Biennale”. Promovimi i librit është bërë në një ngjarje joformale në Prishtinë, të premten, për të vazhduar sot (e shtunë) në Prizren.
Themeluesi e udhëheqësi i ekipit të “Autostrada…”, Leutrim Fishekqiu, ka thënë se janë të lumtur që kanë arritur të dokumentojnë punën e tyre për vitet e kaluara.
“Për ne ka qenë e rëndësishme që të dëshmohen i gjithë mundi e sakrifica për të organizuar një ngjarje ndërkombëtare të artit bashkëkohor në Kosovë”, ka thënë ai. Për librin e shtypur në shqip, anglisht e serbisht, Fishekqiu ka thënë se ka punuar i gjithë ekipi. Realisht ata që posedojnë librin në njëfarë forme mund ta kenë edicionin e parë në bibliotekat e tyre.