Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është vlerësim i përgjithshëm se ky koalicion qeverisës është më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova.
Sipas tij, ky koalicion është i formuar me koncesione joparimore ndaj partnerëve të vegjël dhe grupeve të interesit që janë bërë pjesë e qeverisë dhe që janë të motivuar nga interesa të ngushta politike.
“Qeveria është më e madhja në botë. Kryeministri ka 35 këshilltarë dhe pesë zëvendëskryeministra, të cilët kanë 55 këshilltarë. Disa nga zëvendëskryeministrat përfaqësojnë vetëm interesa të caktuara, pa fuqi politike në Kuvend dhe pa mbështetje qytetare”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij të Facebook-ut.
“Qeveria ka 21 ministra, të cilët kanë 147 këshilltarë. Janë emëruar rreth 80 zëvendësministra, të cilët kanë rreth 80 këshilltarë, si dhe disa koordinatorë nacionalë. Të gjithë këta vetëm për të akomoduar interesat e qeverisë që ka 24 parti, të cilat përfaqësojnë vetëm 1/3 e elektoratit”.
“Problem në vete është se rreth 1/3 e ministrave janë nën aktakuzë. Kryeministri është i dobët pasi vjen nga partia e pestë për nga fuqia e votës në Kuvendin e Kosovës”.
“Gjatë vitit 2018 një goditje iu dha ligjit dhe të drejtave njerëzore me dëbimin e gjashtë shtetasve turq. Komisioni hetimor parlamentar, i formuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, që po e heton këtë çështje, po përballet me vështirësi pasi zyrtarët shtetërorë nuk po përgjigjen në kërkesat e Komisionit”.
“Presidenti i vendit është akuzuar nga ish këshilltarë të tij ndërkombëtarë për borxhet e papaguara ndaj tyre. Këto akuza kanë ngritur dyshime për përdorim të parasë publike për qëllime private. Një Komision hetimor parlamentar, edhe ky i krijuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, e ka hetuar këtë çështje dhe e ka dorëzuar raportin në Kryesinë e Kuvendit për shqyrtim të mëtejmë”.
Shefi i GP ka theksuar se në konsultim me strukturat udhëheqëse të LDK-së po ndërmerr hapa në Kuvend për të ndaluar këtë model të qeverisjes me qëllim të dëshmimit para qytetarëve pafuqinë dhe mungesën e legjitimitetit të këtij koalicioni për të qeverisur.
“Ne do të intensifikojmë opozitarizmin demokratik sipas filozofisë politike të LDK-së, por nuk do të kursehemi nga përdorimi i çdo mjeti demokratik për të ndalur këtë lloj qeverisjeje të vendit. Ne do të luajmë rol aktiv në koordinimin e opozitës, pasi ky rol i takon LDK-së si partia më e madhe në vend dhe Grupi më i madh Parlamentar në Kuvendin e Kosovës”.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Avdullah Hotit në Facebook.
https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/2273414836053191