Fjalë Kyçe

Avokati Geoffrey Nice, me paratë e dedikuara për lobim,punoi në biografinë e Thaçit

Avokati Geoffrey Nice, me paratë e dedikuara për lobim,punoi në biografinë e Thaçit

Një ndër arsyet e nisjes së punës së Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me fondet e lobimit ka qenë edhe letra e dërguar nga avokati Geoffrey Nice drejt Qeverisë së Kosovës, përkatësisht shefit të kabinetit të Kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifit.

Në letrën në fjalë, Nice tregon se gjatë vitit 2015 është kontaktuar nga Petrit Selimi, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe është pyetur nëse “do të punonte për Qeverinë e Kosovës”.

“Z. Nice, nëpërmjet letrës në fjalë, tregon se është pajtuar me kushtet financiare të prezantuara nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selimi. Z. Nice, nëpërmjet të njëjtës letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, tregon për punët e bëra drejt Qeverisë së Kosovës. Ndër të tjera tregon se si pjesë e angazhimit në fjalë, ‘me kërkesë, kam asistuar shkrimtarët e biografisë së Hashim Thaçit’. Gjatë letrës, z. Nice tregon se është paguar nga Qeveria e Kosovës dhe se në një pikë, pagesat ndaj tij dhe ekipit të tij janë ndërprerë”, thotë raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, raporton Koha.net.

Si rrjedhojë, i njëjti shpjegon se së bashku me kolegët dhe avokatin e vet kanë shqyrtuar sistemin e Kosovës për pagesën automatike të faturave të kontestueshme.

“Kemi shqyrtuar sistemin e Kosovës për pagesën automatike të faturave të pakontestueshme – gjë e cila kërkon pak kohë – vetëm se kemi një proces të bllokuar në fazën e fundit pa shpjegim, shfajësim apo justifikim nga ndokush që është në pushtet, me sa duket një ministër”, citohet të ketë thënë Nice në letrën dërguar Qeverisë së Kosovës.

Komisioni konstaton se letra e avokatit Nice dëshmon se: a) i njëjti është kontaktuar nga zv/ministri Selimi, b) se ka pasur një kontratë me Qeverinë e Kosovës, c) se pagesat janë bërë nga llogaritë e Qeverisë së Kosovës dhe d) se pagesat janë ndërprerë nga sistemi i pagesave të Qeverisë së Kosovës.

“Siç është përmendur më lart, Komisioni Hetimor Parlamentar, nga Qeveria dhe Presidenca ka pranuar 4 kontrata të lobimit dhe në asnjërën nga kontratat lobuese nuk është vërejtur angazhimi i z. Geoffrey Nice. Rrjedhimisht, angazhimi i z. Nice duhet të jetë pjesë e ndonjë kontrate tjetër, kontratë e cila nuk është dhënë – me ose pa qëllim – në dispozicion të Komisionit Hetimor Parlamentar”, theksohet në raportin e siguruar nga Koha.net.

Në lidhje me dëshminë e avokatit Nice, Komisioni ka intervistuar Petrit Selimin, në dëshminë e së cilit, më 12 nëntor, 2018, ndonëse ka pranuar takimin me avokatin Nice, ka dëshmuar se i njëjti nuk është angazhuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës.

Komisioni thotë të ketë tentuar në disa raste të intervistojë Geoffrey Nicen, por i njëjti thuhet të mos ketë pranuar të intervistohet pa pranimin e pyetjeve paraprake me shkrim, për ç’gjë, Komisioni ka konstatuar se dërgimi i pyetjeve paraprakisht nuk është i lejuar me Ligjin për Hetim Parlamentar e as me Kodin për Procedurë Penale të Kosovës.

“Prandaj, dëshminë e z. Nice, Komisioni Hetimor Parlamentar e ka referuar mbi letrën e tij dërguar Qeverisë së Kosovës”, thotë raporti i këtij komisioni.

Ndërkaq, sipas raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar, dëshmia e ish-zv/ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, është në kundërshtim të plotë me letrën e avokatit Geoffrey Nice dërguar Qeverisë së Kosovës.

“Derisa z. Selimi dëshmon se avokati Nice nuk është kontaktuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës, ky i fundit përmend pagesa të ekzekutuara e të ndërprera më pas nga llogaritë e Qeverisë së Kosovës. Ekzistenca e pagesave në fjalë do të hapte një kapitull të ri hetimor mbi kontratën në fjalë, natyrën e punëve dhe eventualisht shumat e paguara – informacione që nuk u janë dhënë në dispozicion Komisionit Hetimor Parlamentar, siç parashihet me Ligjin mbi Hetime Parlamentare”, theksohet në këtë raport.

Në letrën që Nice i ka dërguar Qeverisë së Kosovës, avokati përmend edhe një fakt tjetër se ka përgatitur një material për ekzekutivin e vendit kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para.

“Kemi punuar që Qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, thotë Nice në letrën dërguar Qeverisë.

Ndërkaq, Komisioni thotë se “meqë dëshmitë janë kontradiktore dhe kontratat e fletëpagesat në fjalë nuk i janë dhënë asnjëherë në dispozicion Komisionit Hetimor Parlamentar, ky Komision fton organet kompetente të Shtetit të hetojnë të dy dëshmitë e prezantuara në Komision dhe të hetojë llojin e kontratës, pagesat dhe autoritetin kontraktues të z. Nice, natyrën e punës së avokatit Nice në lidhje me shkrimin e autobiografisë së Presidentit Thaçi si dhe natyrën e punës së z. Nice që ka të bëjë me aktakuzat rreth Gjykatës Speciale”.

Komisioni Hetimor Parlamentar konstaton se të katër kontratat e prezantuara kanë disa elemente të përbashkëta.

Mungesën e qartësimit të Termave të Referencave dhe procesit negociues me kompanitë e përzgjedhura. Në pothuajse të gjitha dëshmitë, nuk ka pasur qartësi mbi procesin e negocimit dhe përzgjedhjes së kompanive lobuese. Gjithashtu, nuk ka pasur qartësi e kritere matëse të sakta mbi punët që kompanitë në fjalë është dashur t’i bëjnë për institucionet e Kosovës. Pjesa më e madhe e kontratave kanë qenë gjithëpërfshirëse dhe pa kritere specifike vlerësuese.

Mungesë të vlerësimit të punës së kompanive në fjalë. Siç dëshmohet edhe nga ato pak raporte të dorëzuara, vlerësimi i punëve të kompanive të kontraktuara është i mangët. Në disa raste, mungesa e raporteve me shkrim dhe vlerësimi në ‘raportime gojore’ është shqetësues. Gjithashtu, në disa raste gjatë intervistimeve, siç është rasti me z. Enver Hoxhaj, është vlerësuar se kompanitë e kontraktuara nuk kanë bërë ndonjë punë të dukshme, madje edhe kanë marrë meritat për punët e pabëra.

Koncentrimi i shërbimeve në disa akterë politikë. Ka vlerësim të përgjithshëm se pjesa më e madhe e angazhimeve nuk është bërë për të gjitha institucionet e Kosovës, ndonëse kontratat kanë paraparë lobim gjithë institucional. Komisioni Hetimor Parlamentar vlerëson se një pjesë e madhe e punëve kanë qenë të drejtuar drejt disa akterëve individualë me qëllim të promovimit të tyre personal, e promovimit të interesave të Kosovës.