Avokatja e Kadri Veselit, Colleen Rohan kërkoi serish sqarim për pjesën e konfidencialitetit të raporti të eksperti Goodwin. Kryegjyqtari tha se do të veprohet siç është vepruar tani dhe nuk do të përmenden emra. Më pas kryegjyqtari tha se raporti dhe letra me udhëzime do të publikohet e redaktuar.
“Kemi disa emra që nuk duhet të përmenden me zë. Të afërmit për shembull që kanë dhënë mostrat më mirë të mos i përmendim”, tha kryegjyqtari.
Avokatja e Veselit, Colleen Rohan tha se individët që janë publik duhet të përmenden me emra.
“Duke marrë parasysh këtë, dy nga 26 viktimat e mundshme janë të redaktuara dhe këtë do t’i përmendim dhe në rrethana kur anëtaret e familjes janë të identifikueshëm atëherë këto nuk duhet të jenë publike. Por individët që janë publik, të paktën unë gjykoj që duhet t’i përmendim me emra. “Arsyeja se pse ne nuk e bëjmë këtë publike është për arsyeje se një viktimë e caktuar apo një dëshmitar ka masa mbrojtëse në sallën e gjyqit. Po ashtu ka pasoja psikologjike që mund të kenë viktimat, dëshmitarët, të afërmit dhe t’i mbrojmë”, tha Prokurori, James Pace.
Prokurori shtoi se nuk e kupton se pse nuk vazhdohet ashtu siç është vazhduar deri tani.
Kryegjyqtari iu drejtua avokates duke i thënë se ‘nuk e kuptoj pse i shkoni aq shumë punës së emrave. Ne e kemi vetë këtë informacion dhe kjo mjafton”.
Pas kësaj, Rohan tha se në çdo gjykim duhet që informacionet të jenë publike.
‘Çdo gjykim, ne duhet të sigurohemi që informacionet të jenë publike”, tha Rowan.
Kryegjyqtari tha se edhe ata e dinë këtë gjë por që në këtë rast nuk janë të bindur që informacioni të jetë publik për të gjithë emrat dhe sipas tij ky tashmë është vendim.
Pas kësaj, dëshmitari u thirr serish në sallën e gjyqit për të vazhduar me dëshminë e tij dhe pyetjet është duke i bërë Rohan.
Eksperti i mjekësisë ligjore William Goodwin nis dëshminë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 111-të i Zyrës ë Prokurorit të Specializuar (ZPS), eksperti i mjekësisë ligjore, William Goodwin (i cili mbanë kodin W04875), në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari pohoi se ka përgatitur një raport më 22 shtator 2021 dhe sipas tij, ky raport përfshinë opinionin e tij të pavarur në pyetjet që ia parashtroi ZPS-ja në letrën udhëzuese së bashku me dokumentet përkatëse që e kishte marrë më 30 korrik 2021.
Sipas prokurorit James Pace, ky është një raport i ADN-së për një person të cilit nuk iu tha emri në seancë të hapur. Si rrjedhojë, prokurori lexoi një pjesë të raportit të këtij dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në raportin tuaj thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar që kufizon mundësinë për rishikim ë plotë. Megjithatë, bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshem dhe leukocitet që përputhen, gjasat e përputhjes dhe probaliteti i identitetit duken të arsyeshme”, tha prokurori.
Për këtë gjë, dëshmitari tha se nuk ka asgjë për të ndryshuar në këtë pjesë.
Dëshmitari pohoi se pas udhëzimeve të ZPS-së, ka përgatitur një raport tjetër më 6 mars 2023.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një pjesë e raporti ku sipas prokurorit mund të shihen tipat e personave të testuar.
“Shohim nënë, baba, bashkëshorte, vajzë, djalë. A mund të na thoni që informacionet shtesë që po shihni tani; nëna, babai, bashkëshortja, vajza, djali kanë ndonjë ndikim në vlerësimin tuaj në raportin tuaj?”, tha prokurori.
“Në këtë rast kanë. Kemi të dhëna të plota. Kemi nënën, babain, të cilët me personin e zhdukur mund të rrisin jashtëzakonisht gjasat. Kem vajzën, djalin dhe bashkëshorten. Pra, bashkërisht mund të nxjerrim shkallë të gjasave të larta për secilin prej tyre”, u përgjigj dëshmitari.
Me kaq mbaroi pyetjet prokuroria për të vazhduar ekipet e mbrojtjes pas pushimit dhjetë minutash.
Vlen të theksohet se mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokatja, Colleen Rohan tha se sa i takon konfidencialitetit, të gjithë personat që kanë të bëjnë dhe janë të lidhur me mostrat e ADN-së janë publik në aktakuzë.
“Në rrethana të tilla ne kemi vazhduar me supozimin se këto raporte të ADN-së do të emërohen dhe referencat e kampioneve do të përmenden. Pra, këto janë viktima publike në këtë rast dhe nuk është e qartë nëse ndonjëri prej tyre raporteve që kanë të bëjnë me viktimat publike në këto rrethana do të jenë konfidenciale apo jo”, tha Rowan, duke kërkuar që këto raporte të mos jenë konfidenciale.
Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij eksperti pritet të zgjasë një ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë ndërsa mbrojtja rreth katër orë e gjysmë.
Vlen të theksohet se gjatë fillimit të seancës kishte probleme teknike në qasjen e transmetimit. Pas kësaj, një pjese të seancës i mungoi përkthimi në gjuhën shqipe sidomos kur u lexua një pjesë e raportit
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi